Morata flet për derbin ndaj Interit

Futboll

Morata flet për derbin ndaj Interit

Më: 15 janar 2021 Në ora: 22:31
Alvaro Morata

Sulmuesi i Juventusit, Alvaro Morata, ka folur për ndeshjen me Interi, ku ka thënë se do të të ndërronte bluzat me Romelu Lukaku të dielën pas ndeshjes, ndërsa shtoi se i pëlqen të luajë me Cristiano Ronaldon dhe është i vendosur të luftojë për Scudetto në këtë sezon.

Morata mbahet mend për ndeshjen e vitit 2015 ndaj Interit, kur vendoste fatin e asaj përballje në “San Siro” dhe festonte me një palë syze poshtë tribunës.

Sulmuesi e di që nuk mund ta përsëritë të njëjtin festim, pasi këtë herë derbi i Italisë do të luhet pa praninë e tifozëve.

“Festova ashtu, sepse Fernando Llorente mori disa syze që ishin hedhur nga tribuna dhe na i dha t’i vendosim”.

“Më vjen keq që nuk mund ta përsërit më atë festim, pasi në “San Siro” nuk do të ketë tifozë. Janë pjesa më e bukur e futbollit dhe mungesë e madhe, por jemi profesionistë dhe gati të bëjmë më të mirën”, ka thënë fillimisht Morata.

Pasi pushoi për dy javë, sulmuesi spanjoll është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe pritet titullar ndaj Interit, në krah të yllit të skuadrës së Juventusit, Cristiano Ronaldo.

“Është shumë e lehtë të luash me kampionë si ai. E njoh shumë mirë dhe shpesh i jap disa topa, ku të tjerët nuk mund të arrijnë, por unë e di që mund ta bëj atë lloj pasimi, pasi ai ia del ta marrë topin. Bëj një lloj lëvizjeje, që i largon kundërshtarët dhe këtë Cristiano e ka shumë qejf”, ka treguar spanjolli.

Në krahun tjetër, Interi udhëhiqet nga sulmuesi belg Romelu Lukaku, i cili po bën mjaft mirë, ndërsa Morata ka folur me fjalë të mira për të.

“Lukaku është një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë dhe është gati e pamundur ta ndalësh në fushë. Kur të mbarojë ndeshja, dua t’i kërkoj fanellën”, ka thënë Morata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat