Partizani fitore në kushte ekstreme

Futboll

Partizani fitore në kushte ekstreme

Më: 16 janar 2021 Në ora: 16:36
Partizani fitore në kushte ekstreme

Partizani iu kthye fitores në Superiore në një terren në kushte ekstreme në stadiumin e Korçës për shkak të reshjeve të dëborës. Të kuqtë e Ilir Dajës triumfuan 1-2 ndaj Skënderbeut falë dy golave të shpejtë të shënuar në fillimin e takimit me autorë Bardhin dhe Solomon.

23-vjeçari Bardhi u gjend në vendin dhe kohën e duhur në shtyllën e dytë në zhvillimet e një goditjeje standarde, duke mposhtur portierin Dajsinani.  Vetëm tre minuta më vonë Skëndereu mori goditjen e dytë nga Solomon, që sërish me kokë e dërgoi topin pas shpinës së portierit.

Skënderbeu e mori gradualisht veten, duke ushtruar presion në fushën e të kuqve, derisa në minutën e 65-të gjeti golin e 1-2 me Mensah, i cili hapi sfidën. Minutat në vazhdim nuk sollën ndryshim tjetër rezultati, teksa loja u përqendrua më së shumti në mesfushë, ku pati duele të ashpra. Me këtë suksesn Partizani i bashkohet me 23 pikë Teutës në vendin e dytë, por me 9 pikë më pak se Vllaznia kryesuese.

Fitore shumë e rëndësishme edhe për Tiranën, 2-1 në “Selman Stërmasi” përballë Kastriotit, që kaloi i pari në avantazh me David në minutën e 21-të.

Tirana reagoi shpejt duke kthyer baraspeshën në rezultat me Idriz Bathën në të 35-tën, pas një aksioni të bukur me protagonistë Halilin dhe Toshevskin.

Për t’u dhuruar fitoren bardhebluve mendoi Ernest Muçi, i cili pasi mori një pasim të bukur nga Ismajlgeci, mposhti Hidin, duke përmbysur rezultatin (53’). Debutoi në pjesën e dytë në radhët e Tiranës Talent Seferi, që pati dhe një mundësi për të shënuar, por ndërhyrja e Hidit rezultoi vendimtare.

Rezultati ndoshta më i papritur u shënua në Fier, ku Apolonia fitoi 1-0 me Laçin, falë golit të Gjatës në pjesën e parë me një goditje në hyrje të zonës. Edhe pse me një organikë më cilësore dhe me statusin e ekipit pretendent, Laçi i Duros nuk ia doli të bënte më të mirën në një terren të mrekullueshëm për të luajtur futboll.

Apolonia me këtë sukses barazon Bylisin në kuotën e 12 pikëve dhe lë në vendin e fundit Skënderbeun (10 pikë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat