Fieri kampion i moshës U-13

Futboll

Fieri kampion i moshës U-13

Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:14
Fieri kampion i moshës U-13

Turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale është mbyllur sot me finalet e moshës U-13, që u zhvilluan në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Në këtë grup-moshë, ku merrnin pjesë fëmijët e datëlindjes 2009, është shpallur fitues ekipi rajonal i Fierit që mundi në finale skuadrën e Tiranës. Koha e rregullt u mbyll në barazim 0-0 dhe nga pika e bardhë e 11-metërshave ishin fierakët më të saktë, duke triumfuar me rezultatin 4–2.

Finalja për vendin e 3-të dhe të 4-t të moshës U-13 u fitua nga ekipi rajonal i Korçës, që mposhti Durrësin me rezultatin e ngushtë 1-0.
Si zakonisht gjatë turneut, në ceremoninë e dorëzimit të trofeut simbolik ishin të pranishëm përfaqësuesit e FSHF-së, Kryeskauti Dzemal Mustedanagiҫ, eksperti i futbollit, Sulejman Mema si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së.

Fieri U-13 arriti në finale duke mundur Elbasanin 3-1 dhe Durrësin me rezultatin 2-0, ndërsa Tirana U-13 kishte kaluar Lezhën (5-2 me penallti, koha e rregullt u mbyll 1-1) dhe Korçën (fitoi 6-0).

Turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-15, U-14 dhe U-13 nisi më datë 12 janar 2021 për t’u mbyllur këtë të enjte përmes një organizimi mjaft të mirë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Fëmijët u impenjuan për 9 ditë me radhë në këtë turne që përfshin futbollistët e vegjël nga e gjithë Shqipëria. Siç dihet, qëllimi i këtij turneu është evidentimi i talenteve të reja që militojnë në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare.

Në këtë turne morën pjesë ekipet përfaqësuese rajonale të tre grup-moshave (U-13, U-14, U-15) nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra.

U13 dt.2009: Fier, Elbasan, Durrës, Gjirokastër
Dt. 19.01.2021 (E martë) – Aneksi i stadiumit “Loni Papuçiu”, Fier

1. Fieri – Elbasani 3 – 1
2. Durrësi – Gjirokastër 1 – 1 (5-3 me penallti)

– Ndeshja finale
– Durrës – Fier 0 – 2

– Ndeshja për vendin e 3-të & të 4-t
– Gjirokastër – Elbasan 1 – 2

U13 dt.2009: Tiranë , Korçë, Shkodër, Lezhë
Dt.17.01.2021 (E diel) – Kompleksi sportiv “Qendra Ekipeve Kombëtare”, Kamëz

1. Tirana – Lezha 1 – 1 (5-2 penallti)
2. Korça – Shkodër 1 – 0
– Ndeshja finale
– Tirana – Korça 6 – 0

– Ndeshja për vendin e 3-të & të 4-t
– Shkodra – Lezha 2 – 0

Finalet
Dt.21.01.2021 (E enjte) – Kompleksi sportiv “Qendra Ekipeve Kombëtare”, Kamëz

– Finalja e moshës U-13
Tirana – Fieri 0 – 0 (2 – 4 penallti).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat