Situata e Mbappes

Futboll

Situata e Mbappes

Më: 23 janar 2021 Në ora: 21:06
Situata e Mbappes

Kalojnë javët, muajt dhe situata e sulmuesit Kylian Mbappe vazhdon të mbetet ende shumë e paqartë.

E ardhmja e 22-vjeçarit parizien është mes Realit të Madridit, Liverpoolit dhe vetë klubit të mirënjohur francez, që po bën çmos për ta bindur sulmuesin me origjinë nga Kameruni për të rinovuar kontratën me Paris SG.

Bisedimet me krerët e klubit për të gjetur gjuhën e përbashkët vijojnë normalisht, megjithatë kohët kalojnë shpejt dhe drejtuesit duhet të nxitojnë, për të siguruar marrëveshjen e shumëpritur, pasi kontrata aktuale që e lidh Kylian Mbappe me klubin kryeqytetas përfundon në verën e vitit 2022.

Mbappe konsiderohet si një ndër futbollistët më të talentuar në qarkullim dhe natyrisht sulmuesi i ri ëndërrohet nga të gjithë, sidoqoftë janë vërtet shumë të pakët klubet që i kanë mundësitë për të synuar shërbimet e tij. Kohë pas kohë nëpër mediat e ndryshme kanë dalë në skenë klubi si Reali apo dhe Liverpooli, të cilët kanë tentuar ta joshin me të gjitha mënyrat numrin 7 të Paris SG.

Llogaritë nuk dalin më dhe pavarësisht parave pafund të emirit nga Katari dhe familjes Al – Thani bilanci i klubit të famshëm parizien mbetet negativ. Vetë Kylian Mbappe nuk e ka fshehur kurrë idenë, që nëse rinovon do ta bëjë këtë për të qëndruar për një kohë të gjatë në kryeqytet dhe për shumë sezone në radhët e Paris SG. Shumë mund të influencojë gjithashtu edhe përshtatja e shpejtë dhe dëshira e mikut të tij Neymar për të shtyrë qëndrimin në Paris, pa harruar edhe një lojtar si Lionel Messi, emri i të cilit po lakohet gjithmonë e më shumë për një kalim të mundshëm në Le Championnat, në radhët e skuadrës pariziene, ku mund të gjejë bashkëkombasin e tij, argjentinasin Mauricio Pochettino.

Në këtë edicion të kampionatit Kylian Mbappe kryeson listën e golashënuesve me 14 gola, 4 prej të cilëve nga pika e bardhë e 11-metrave, sidoqoftë pas kritikave të shumta të shtypit francez, për driblime të kota, mendjemadhësi në lojë, ankesat në adresë të shokëve, që sipas tij nuk i pasojnë mirë topin apo qoftë edhe për rendimentin e ulët përpa portës së kundërshtarëve, popullariteti i tij ka pësuar rënie dhe sipas sondazheve tani Mbappe iu duket francezëve më pak simpatik, i dashur apo më pak i thjeshtë se sa më parë.

Kylian Mbappe sidoqoftë iu kundërpërgjigj këtyre kritikave në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar 2 gola në fitoren 4-0 të kampionëve në fuqi ndaj Monpellier. Në një deklaratë të vecantë 22-vjeçari ka pranuar se nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe ndoshta nuk i ka përmbushur siç duhet pritshmëritë e mëdha, gjithsesi Kylian Mbappe ka shifrat dhe statistikat në anën e tij, sepse me 14 gola dhe 6 asist numri 7 ka rezultuar përcaktues në shënimin e një goli në çdo 58’ për ekipin e tij.

Mbappe pranon se është ndierë përherë mirë në kryeqytet dhe vazhdon të jetë i lumtur te Paris SG, por sipas tij ai nuk është duke kërkuar kohë për të reflektuar për situatën. Tani 22-vjeçarit i duhet të vendosë për të ardhmen e tij, por diçka e tillë në një periudhë si kjo nuk është aspak e lehtë.

Në krahun tjetër kriza e pandemisë së koronavirusit ka hapur një gropë prej plot 200 milionë euro në bilancin e klubit, që po dominon futbollin francez, e vlen të theksohet gjithashtu fakti që Kylian Mbappe ka një rrogë prej 2 milionë eurosh në muaj, megjithëse për hir të së vërtetës Neymar fiton edhe një milion më shumë në muaj se sa ai. Një pagë të tillë do ta merrte në shumë klube të tjerë, duke garantuar madje edhe fitimin e shumë trofeve, megjithatë dëshira e tij mund ta dërgojë në Primera Division për t’u bërë ylli i Realit të Madridit, klubit më të lavdishëm në planet, për t’u bërë trashëgimtari i Cristiano Ronaldo-s, për më tepër nën drejtimin e bashkëkombasit të tij Zinedine Zidane, që ka gjithashtu origjinë algjeriane, njësoj siç ka marrë edhe vetë Mbappe nga dejet e nënës së tij.

Ambiciet e familjes së pasur nga Katari si dhe presidentit Nasser Al – Khelaifi shkojnë përtej dhe klubi kërkon me ngulm Champions-in, trofe që i shpëtoi Paris SG nga duart vetëm për pak gushtin e kaluar. Leonardo është shfaqur optimist duke deklaruar se nuk ka një vend tjetër më të mirë për nga mundësitë dhe ambiciet se sa klubi i famshëm parizien, që synon të ngjitet vërtet shumë lart në këto 5 vitet te ardhshme, por kjo është tek e fundit edhe ëndrra e cdo tifozi të kuqebluve, për të parë bashkë yje si Neymar – Mbappe dhe Messi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat