Ndreu: Penalltia e pastër, ishte si boks! Futbolli nuk do piktorë në fushë

Futboll

Ndreu: Penalltia e pastër, ishte si boks! Futbolli nuk do piktorë në fushë

Më: 24 janar 2021 Në ora: 19:12
Ramazan Ndreu

Një pikë në Shkodër e kënaq Kastriotin, që pikësynim ka qëndrimin në Kategorinë Superiore. Trajneri Ramazan Ndreu, pas ndeshjes kundër Vllaznisë, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.  “E kam deklaruar gjatë javës që më kënaqin lojërat. Isha i bindur se lojtarët do jepnin maksimumin. Ato japin atë që kanë, ndaj jam i kënaqur”, tha fillimisht trajneri i krutanëve.

“E kam parë Vllaznisë dhe po u lë hapësira të vënë në vështirësi. Menduam të bëjmë presing lart dhe pjesën e parë e bënë djemtë. Kemi një rast penallti, që do e shohim dhe do flasim. Në pjesën e parë ishin konkret, më pas Vllaznia do kërkonte më tepër. Nuk u lamë hapësira dhe mund t’i kapnim në befasi po të ishim pak të përqendruar”.

“Penalltia? Është penallti e pastër dhe nuk e kuptoj si nuk e ka dhënë. Jo se mora barazim, por ajo që na takon na duhet dhënë. Arbitri ishte afër, është një arbitër i mirë, ai vendos. Kemi marrë vetëm një penallti, e kanë vështirë të na i japin. Ai është boks, shikojeni”.

“Mesfusha? Luajti mirë treshja e mesfushës. Moraes është shumë teknik dhe e mban afër topin, ndaj e kam vënë në qendër të mesfushës. E kishim problem nxjerrjen e topit. Mehmeti dhe Nuriu më kanë befasuar. Sot ishte çelësi i suksesit”.

“E kam thënë dhe e përsëris. Piktorë nuk dua në fushë, dua ata që vrapojnë. Nëse nuk e bëjmë këtë nuk marrim dot rezultate pozitive. U kam kërkuar lojtarëve të vrapojnë. Futbolli është luftë, grinte. Ata që ishin sot i zëvendësuan më së miri ata që mungonin”.

“Ne jemi në garë me skuadrat poshtë, ndaj shohim para edhe mbrapa. Rezultate na shkuan për shtat dhe na motivuan. Ishte një plus më shumë, por gjatë javës jemi munduar t’u mbushim mendjen lojtarëve që futbolli është punë dhe vrap”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat