Rivaliteti ndërmjet Interit dhe Milanit...

Futboll

Rivaliteti ndërmjet Interit dhe Milanit...

Më: 26 janar 2021 Në ora: 11:09
Rivaliteti ndërmjet Interit dhe Milanit...

Këtë mesjavë luhen ndeshjet çerekfinale të edicionit të 74-t të Kupës së Italisë, raund ku përjashtim për nga hierarkia bën vetëm ekipi i SPAL-it, pasi gjithë klubet e tjerë i përkasin Serisë A. Nga 7 ekipet e kreut në kampionat mungojnë vetëm verdhekuqtë e Romës, që befasuan duke u eliminuar për herë të dytë në gjashtë edicionet e fundit nga klubi ligur i Spezias.

Privilegjin për të çelur këtë tur e kanë pikërisht dy skuadrat milaneze, që kryesojnë gjithashtu edhe kampionatin italian. Rivaliteti ndërmjet Interit dhe Milanit do të vijojë kështu edhe në kompeticionin e dytë më të vlefshëm në Apenine, për nga rëndësia, dhe arena që do të presë duelin e radhës në derbin e Madoninës natyrisht edhe këtë radhë është pikërisht stadiumi “Giuseppe Meazza”.

Në Serinë A, dy klubet ndahen në krye nga vetëm 2 pikë, gjithsesi si Milani ashtu edhe ekipi i Interit do të zbresin në fushën e “San Siros” tepër të zhgënjyer, për shkak të rezultateve të fundjavës. Zikaltërit dështuan për të mposhtur bardhezinjtë e Udinezes në Friuli, ndërsa njëkohësisht me ta, të shtunën në mbrëmje, kuqezinjtë u mundën thellë 3-0 nga skuadra e Atalantës në shtëpi, sidoqoftë ekipi i drejtuar nga trajneri Stefano Pioli u ngushëllua të paktën me titullin simbolik të kampionit të dimrit.

Fundjavën e ardhshme dy klubet e Milanos do të impenjohen në Serinë A, përsëri ditën e shtunë: Interi do të presë Beneventon në Lombardi, ndërsa Milani do të udhëtojë drejt Emilia Romagnas, për t’u përballur në “Dall’Ara” me skuadrën e Bolonjës, kështu që dy ekipet nuk kanë sfida të vështira për të ruajtur forcat për takimet e kampionatit.

Në Kontinentin e Vjetër Interi e mbylli aventurën që në fazën e grupeve në Champions, ndërsa ekipi i Milanit është i impenjuar gjithashtu edhe në Europa League, ku kuqezinjtë do të matin forcat me Crvena Zvezdan, në datat 18 dhe 25 shkurt. Zikaltërit kanë fituar brenda kohës së rregullt vetëm 1 nga 5 takimet e fundit, megjithatë vlen të theksohet fakti që skuadra e drejtuar nga trajneri Antonio Conte ka humbur thjesht 1 ndeshje të vetme në 14 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet. Kuqezinjtë, nga ana e tyre, kishin një ecuri të ngjashme, sidoqoftë ekipi i Piolit humbi dy ndeshjet e vetme të vështira që pati në fillimin e këtij viti, ndaj skuadrave të Juventusit dhe Atalantës. Sigurisht që ndjeshëm kanë influencuar edhe dëmtimet e shumta dhe problemet e ndryshme fizike që ka patur këto kohët e fundit një pjesë e mirë e lojtarëve, ndërsa në anën tjetër të Milanos trajneri puljez nuk ka fare telashe të tilla.

Interi përfaqëson klubin e tretë më të suksesshëm të këtij aktiviteti, duke fituar 7 nga 13 finalet e luajtura në Kupën e Italisë. Për herë të fundit zikaltrit e kanë fituar Kupën e Italisë në vitin 2011, me Leonardon në drejtim, kur ekipi mposhti 3-1 Palermon në stadiumin “Olimpico” të Romës. Ky është edhe trofeu i fundit për klubin e Interit, ndërkohë në krahun tjetër Milani pozicionohet në vendin e tetë në librin e artë të këtij kompeticioni, duke fituar vetëm 5 nga 14 finalet e luajtura në këtë aktivitet. Kështu kuqezinjtë kanë humbur dy finalet e fundit në vitet 2016 e 2018, respektivisht 1-0 dhe 4-0 me skuadrën e Juventusit, ndërsa trofeun e fundit në këtë kompeticion klubi i Milanit e ka fituar në vitin e largët 2003, pas suksesit me rezultatin e përgjithshëm 6-3 në dy takimet me Romën.

Për të mbërritur deri këtu Interi pati nevojë për kohën shtesë dhe një gol shumë të vonë të sulmuesit kryesor Romelu Lukaku, për të thyer Fiorentinën brenda në Firenze, ndërsa kuqezinjtë vuajtën akoma më shumë, teksa shfrytëzuan gjuajtjet e 11-metërshave për të eliminuar Torinon brenda në Stadiumin Meazza. Ky do të jetë takimi i 227 në historinë e përballjeve ndërmjet tyre, në të gjithë kompeticionet dhe për momentin Interi kryeson 82-77 me fitore ndaj Milanit.

Kuqezinjtë kishin humbur katër ndeshje radhazi, megjithatë në duelin e fazës së parë formacioni i Piolit e mposhti Interin 2-1 falë dy golave të realizuar pikërisht nga ish-sulmuesi zikaltër Zlatan Ibrahimovic. Në Kupën e Italisë ky do të jetë takimi i 25, gjithsesi në këtë aktivitet kryeson Milani 10-7 me fitore. Sfida do të fillojë në orën 20:45 dhe do të zhvillohet me tek ndeshje, kështu që gjithcka mund të shkojë deri te shtesat apo qoftë edhe penalltitë, sidoqoftë fituesi i këtij dueli do të masë forcat në vazhdim me ekipin që triumfon nga çifti Juventus – SPAL.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat