Mourinho: Kane u dëmtua

Futboll

Mourinho: Kane u dëmtua

Më: 29 janar 2021 Në ora: 11:11
Mourinho

Tottenham u mposht me rezultatin 1-3 në shtëpi ndaj Liverpool dhe mbeti plot 8 pikë larg kreut duke dalë thuajse përfundimisht nga gara për titull, teksa tashmë do t’i duhet të djersijë shumë për të siguruar një vend në zonën Champions.

Trajneri Jose Mourino u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve ndaj “the reds”, por nuk e fshehu zhgënjimin për gabimet në rastin e golave të pësuar, ndonëse u mundua të marrë në mbrojtje të riun Joe Rodon.

“Bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe që në fillim shënuam, ndonëse ishte një pozicion jashtë loje milimetrik. Megjithatë ndjej keqardhje kur shoh që u ndëshkuam për tre gabime tonat. Të gjithë pa përjashtim bënë një ndeshje të shkëlqyer, por ato gabime… Duket sikur luftojmë kundër gabimeve tona. Më vjen keq më shumë për gabimin e Rodon, pasi e them me bindje se bëri një ndeshje të jashtëzakonshme, përtej të gjithë pritshmërive të mia dhe në ndeshjen e radhës do të jetë titullar”, tha trajneri portugez.

Kapiteni Harry Kane pësoi një dëmtim në pjesën e parë dhe nuk doli më në fushë për gjysmën e dytë të ndeshjes, ndërsa Mourinho deklaroi se ende pret të mësojë se sa do të mungojë sulmuesi kryesor i skuadrës.

“Kane u dëmtua dhe më duhet të pres ekzaminimet ditën e nesërme, për të kuptuar se kur mund ta kemi sërish. Bëhet fjalë për kapitenin tonë, një lojtar që dëshiron të jetë në fushë gjithmonë, ndaj dua ta rikuperojmë sa më shpejt. Humori në skuadër është ai i disa njerëzve që e kanë të vështirë të pranojnë një humbje, ndaj kjo më bën optimist që do të reagojmë shumë mirë”, u shpreh Mourinho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat