Fitorja me Tiranën rikthen besimin

Futboll

Fitorja me Tiranën rikthen besimin

Më: 29 janar 2021 Në ora: 14:58
Fitorja me Tiranën rikthen besimin

Fitorja ndaj Tiranës i dha krahë Laçit që duket se ka ridimensionuar objektivat sezonalë. Arritja tek titulli shihet si diçka e vështirë, çka u tha edhe nga trajneri Shpëtim Duro pas fitores me Tiranën, por vendi i dytë është më se i arritshëm.

Diferenca prej 3 pikësh me dyshen Partizani-Teuta jep shpresë tek kurbinasit që pikërisht me durrsakët do të duhet të bëjnë llogaritë këtë fundjavë. Madje dy ndeshjet e fundit të kësaj faze mund t’i japin një tjetër impuls sezonit të bardhezinjve.

Pas Teutës vjen transferta me kryesuesit e kampionatit Vllazninë, dy duele që mund të përcaktojnë fatet e sezonit. Nëse ndaj Teutës luhet për të kapur në klasifikim këtë kundërshtar, ndaj shkodranëve është edhe çështje prestigji, si dhe për të lëshuar mesazhin që më e vështira kaloi.

Në fillim të edicionit Laçi shihej si një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion së bashku me Teutën, por ecuria e tyre ka patur shumë ulje-ngritje dhe tashmë pa u mbyllur faza e parë shfaqet mundësia për të rikuperuar, të paktën në garën për vendin e dytë.

Pjesëmarrja në kupat e Europës ka qenë dhe mbetet objektivi i padiskutueshëm për kurbinasit, ndërkohë që 2 ndeshjet e ardhshme do të vendosin se për çfarë duhet të luftojnë deri në fund, sigurisht duke parë dhe ndeshjet e rivalëve sidomos përballjen direkte Partizani–Vllaznia.

Por së pari Laçi duhet të bëjë mirë detyrat e veta, të mposhtë Teutën në shtëpi dhe më pas të tentojë një tjetër sukses ndaj Vllaznisë. Atëherë po që pjesa e mbetur e sezonit do të kishte një tjetër kuptim për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat