Spikat Partizani

Futboll

Spikat Partizani

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 12:54
Spikat Partizani

Merkato e dimrit ka ulur zyrtarisht siparin. Emra të rinj, disa jashtëzakonisht sugjestionues, duke nisur nga Ferhan Hasani, goditja e madhe e këtij sesioni, Taulant Seferi që ka shënuar tanimë edhe golin e parë në kampionat, e pa dyshim të tjerë që presin që emrin e tyre ta bëjnë më sugjestionues me kontributin në fushë, shkruan superport.

Kampionati fiton cilësi dhe e veçanta e këtij sesioni është se pikërisht cilësia ka triumfuar në raportin me sasinë. Ndryshe nga vitet e kaluara lëvizjet e klubeve kanë qenë më të matura.

Vështirë se diçka e tillë t’i atribuohet krizës financiare për shkak të pandemisë, pagat e larta për emra si Hasani apo Seferi provojnë të kundërtën, më shumë se sa paratë duket se ka vendosur eksperienca, duke i dhënë më në fund edhe në Shqipëri merkatos së dimrit epitetin një merkato riparimesh.

Kanë lëvizur pak skuadra si Laçi apo Teuta, pasi investimet e mëdha janë bërë që vjeshtën e kaluar, lëvizje më shumë për të pasuruar alternativat edhe te Vllaznia, me synimin për të mos prishur ekuilibrat e një skuadre që funksionon. Pak ka ndryshuar edhe Kukësi, që në sesionet e kaluara ishte ndoshta skuadra që sillte më shumë emra.

Spikat Partizani, të kuqtë kanë lëvizur më tepër, por bëhet fjalë për një rast specifik, pasi të kuqtë e kishin të ngrirë merkaton në vjeshtën e kaluar dhe ne hapjen e saj logjikshëm do të përfitonin për t’u përforcuar, me synimin  për të forcuar një skuadër që mund të luftojë për titullin.

Lëvizje më të shumta edhe te Tirana, këtu natyrisht ka ndikuar kriza e thellë e hasur në një fillim të sezonit, ku mungesat për shkak të largimeve nga sezoni i kaluar apo dëmtimet janë ndier në fushën e blertë. Deri më tani kanë munguar edhe shitjet e mëdha jashtë vendit, asnjë lëvizje fitimprurëse, me merkaton që është ende e hapur në disa kampionate, emri që mund ta konkretizojë është Ernest Muçi, natyrisht me bekimin e drejtuesve dhe arkave bardheblu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat