Partizani e Teuta për t’u rikthyer te fitorja

Futboll

Partizani e Teuta për t’u rikthyer te fitorja

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 11:18
Partizani e Teuta për t’u rikthyer te fitorja

Dy barazimet radhazi edhe pse ndaj dy prej skuadrave pretendente për titull si Teuta e Vllaznia, e kanë ngadalësuar Partizanin. Fitorja në derbi nuk u pasua me të njëjtën ecuri, edhe pse shanset i kishte për t’i fituar dy sfidat pasuese. Skuadra më e përforcuar në merkaton e dimrit do të kërkojë tashmë t’i rikthehet suksesit në transfertën e vështirë të Ballshit kundër Bylisit, kjo edhe për t’u afruar më shumë me Vllazninë kryesuese, që u ndal mbrëmjen e djeshme në shtëpi ndaj Laçit.

Mallakastriotët janë një nga klubet me të cilët “të kuqtë” bashkëpunuan më shumë në këtë merkato duke u marrë Muratajn e Mëllugjën e duke i dhënë Hysenin e Dajçin. Ka një fakt pozitiv që “demat” nuk thyhen prej 5 takimesh dhe në 16 ndeshjet e fundit në kampionat kanë pësuar vetëm 2 humbje. Bylisi është një kundërshtar që shpeshherë u ka krijuar probleme “të kuqve”, madje edhe në fazën e parë i’a dolën të merrnin një barazim në “Elbasan Arena”, teksa fitorja e fundit e Partizanit në Ballsh daton më 9 Mars 2016-të me golat e Vilës e Trashit.

Bitri është një mungesë e rëndësishme dhe duket se Ilir Daja do të tërheqë në qendër të mbrojtjes Brojën, një rol që 24-vjeçari e ka bërë sa herë skuadra ka qenë në emergjencë në atë pozicion. Ndërkohë që mungesa më e madhe është ajo e Jasir Asanit. Anësori ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në javët e fundit duke bërë shpeshherë diferencën, por plotësimi I numrit të kartonëve do ta mbajë jashtë.

Kote mund të vendoset përpara mbrojtjes, me Malën, Muratajn, Bardhin e Cordeiron në mesfushë, në majë të sulmit Erald Çinari. Në spondën tjetër Bylisi, tashmë me Dovedan që ka shlyer pezullimin do të kërkojë t‘i japë një impuls tjetër një sezoni të vështirë. Katër humbjet radhazi e kanë goditur skuadrën psikologjikisht, por edhe në aspektin e pikëve. Fitorja e parë në këtë vit kalendarik ende nuk ka ardhur, nuk do të jetë e thjeshtë, por Bylisi në situatën ku ndodhet nuk ka shumë opsione dhe 3 pikët, edhe pse ndaj një skuadre më të forte, janë objektivi i mallakastriotëve.

Sfida tjetër që do të startojë sot në orën 13:45 është Tirana-Skënderbeu, një përballje që për një periudhë gati 5-6 vjeçare mori përmasat e një takimi derbi, pasi shihte të ndesheshin klubi më i titulluar përballë klubit më modern në Shqipëri dhe duelet ishin entuziazmues dhe disa herë edhe spektakolarë, por tashmë diçka ka ndryshuar.

Bardheblutë kanë mbetur klubi më i titulluar, madje duke shtuar edhe një trofe kampioni, ndërsa bardhekuqtë janë në situatën më të të vështirë të 10 viteve të fundit dhe sfida ndaj Tiranës në kryeqytet duket si shpresa e madhe për të ndryshuar deri diku rrjedhën e sezonit.

Të dy ekipet janë me trajnerë të rinj, teksa Orges Shehi, një ish i madh që përveçse fitoi 7 tituj si portier i Skënderbeut, fitoi edhe një Superkupë si trajner, e ka nisur rrugëtimin si bardheblu me një fitore të vështirë në Fier. Problemet janë të pranishme dhe lidhen me gjendjen fizike të dy maqedonasve, Toshevski e Najdovski, ky i fundit pavarësisht shqetësimeve duket se do t’ia dalë të jetë në fushë kundër korçarëve.
Tekniku durrsak po projekton një sulm të bazuar tek klasi individual, pasi Torasa, Kale, Seferi e Muçi, pra thuajse e gjithë artileria e rëndë sulmuese do të jetë në fushë.

Një ish është edhe trajneri i sapoemëruar i Skënderbeut, Migen Memelli. Një sezon tek Tirana si futbollist duke u shpallur edhe kampion në 2009-ën dhe golashënuesi më i mirë i sezonit dhe disa herë trajner i grupmoshave bardheblu, tashmë pas përvojës me Laçin, do të nisë një tjetër aventurë si trajner në Superiore dhe ka marrë përsipër një detyrë të vështirë, që është mbijetesa me Skënderbeun.

Si trajner i Laçit e pat mposhtur një herë Tiranën në tetor të 2018-ës , pikërisht në “Selman Stërmasi” dhe nisje më të mirë se sa të fitosh kundër kampionëve në fuqi, nuk mund të kishte për trajnerin e ri të bardhekuqve.

Në orën 16:45 vëmendja do të jetë në “Niko Dovana” ku Teuta do të presë Apoloninë, me misionin e vetëm marrjen e tre pikëve, që do ta rikthente sërish në garë n për titullin kampion, objektiv që durrsakët e kanë që prej fillimit të sezonit.

Skuadra e Edi Martinit vjen pas një barazimi me Partizanin e një humbjeje në Laç, ndaj një hap fals sot ndaj fierakëve do t’ua komplikonte tërësisht objektivat. Këtë e dinë mirë te Teuta, që përballë Apolonisë modeste do të kërkojnë të marrin fitoren, qoftë edhe për të thyer një tabu si “Niko Dovana”, pasi në shtëpinë e tyre durrsakët kanë fituar vetëm dy takime këtë sezon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat