Suning: Shlyejmë të gjitha detyrimet

Futboll

Suning: Shlyejmë të gjitha detyrimet

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 18:29
Suning: Shlyejmë të gjitha detyrimet

Komisioni i vigjilencës, që monitoron soliditetin financiar të klubeve profesioniste në Itali (Covisoc) i ka kërkuar garanci për pagesën e detyrimeve shoqërisë kineze Suning, e cila ka edhe pronësinë e Interit.

Grupi kinez ka nisur procedurat për shitjen e klubit, duke qenë se qeveria kineze ka bllokuar investimet jashtë vendit në sektorë jo strategjikë, megjithatë ka dhënë garanci ndaj Covisoc se do të shlyejë të gjithë detyrimet e parashikuara brenda muajit qershor.

Bëhet fjalë për një shifër prej rreth 195 milionë eurosh për t’u paguar, përfshi këtu pagat e lojtarëve dhe punonjësve të tjerë të klubit, si dhe këstet e kartonëve të futbollistëve të blerë gjatë kësaj kohe.

Shoqëria kineze ka garantuar se klubi do të kryejë në mënyrë korrekte të gjithë pagesat, por njëkohësisht ka konfirmuar se do të vijojë negociatat për shitjen e aksioneve, duke qenë se vetë e ka të pamundur ta mbajë Interit në nivele të larta.

Aktualisht Suning po negocion me fondin britanik BC Partners për shitjen e aksioneve të klubit, por përveç tyre, kanë shprehur interes edhe fonde të tjera të mëdha e të njohura, që dëshirojnë të investojnë në futboll.

Ndërkohë sot u plotësuan edhe kriteret e vendosura për shitjen përfundimtare të Candrevës, pasi klubi i Sampdorias kishte garantuar se do të paguante kartonin e mesfushorit menjëherë pasi të fitonte pikën e parë në muajin shkurt.

Sot Sampdoria mori një barazim ndaj Beneventos dhe gjatë javës së ardhshme do të duhet të paguajë 2.5 milionë euro në arkat e klubit të Interit, ndërsa zikaltrit kanë gjetur akordin edhe me futbollistët sa u përket pagave.

Kështu në fund të muajit janar u paguan rrogat e korrikut dhe gushtit, me shtatorin e tetorin që janë marrë në kohë, ndërsa për pagat e nëntorit dhe dhjetorit është vendosur një shtyrje për në fund të sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat