Tre të dyshuar të tjerë në rastin e vdekjes së Maradonës

Futboll

Tre të dyshuar të tjerë në rastin e vdekjes së Maradonës

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 11:31
Tre të dyshuar të tjerë në rastin e vdekjes së Maradonës

Prokuroria Publike e San Isidro, e cila kryen hetimet për vdekjen e Diego Armando Maradonës, kishte të dyshuarit e parë neurokirurgun Leopoldo Luque dhe psikiatren Agustina Cosachov.

Sipas “Infobae”, tani po hetohen për vrasje edhe psikologu Carlos Diaz, i cili e trajtoi legjendën e futbollit në muajt para vdekjes; infermierja Dahiana Gisela Madrid, që e asistoi Diegon pas operacionit në tru; gjithashtu infermierja Ricardo Almiron, e cila ishte e pranishme ditën e vdekjes së “10” në Barrio San Andres.

Edhe kuzhinierja Romina Milagros Rodriguez, e njohur si “Monona”, do të merret në pyetje nga hetuesit të mërkurën.

Hetuesit e Prokurorisë Publike të San Isidro, Laura Capra, Patricio Ferrari dhe Cosme Iribarren, të koordinuar me kryeprokurorin John Broyad, duan të hapin dy celularët e Maradonës, të sekuestruar pas vdekjes së tij. Por, për ta bërë këtë, ata duhet të kenë dritën jeshile nga gjyqtari i garancisë, Orlando Díaz, i cili do të vendosë nëse përmbajtja mund të jetë e arritshme. Puna e hetuesve argjentinas është vazhdimisht nën sytë e opinionit publik botëror, pasi Maradona është një nga njerëzit më të njohur të “Galaktikës së Katërt”, i pëlqen dikujt apo jo. Çdo akt i magjistratëve të San Isidro vlerësohet nga qindra, miliona njerëz të çdo shtrese dhe statusi social.

Magjistratët duan të kenë një pamje sa më të gjerë të situates. Ata kanë vendosur të dëgjojnë njerëz të tjerë, që kanë shkelur në shtëpinë ku Maradona jetoi javët e fundit të jetës së tij. Midis këtyre është Griselda Vanesa Morel, psikopedagogia e Dieguito Fernando, djalit të Diegos me Veronica Ojeda, e cila shoqëronte ish-partneren e Maradonës në vizitat e saj në shtëpinë joadekuate, ku vdiq kampioni argjentinas. Një shtëpi që doli të ishte pa komoditetet themelore për kushtet e riaftësimit, në situatën ku gjendej Maradona pas operacionit në kokë. Një shtëpi e marrë me qira me nxitim për sistemimin e Diegos aty, një pacienti të vështirë si ai, që doli shumë shpejt nga klinika ku ishte operuar për një edemë subdurale të trurit.

Një shtëpi e papërshtatshme për një njeri si “Dora e Zotit”, me probleme serioze në zemër. Ai u detyrua të jetonte me një tualet portativ pranë shtratit, pa defibrilator dhe një rezervuar oksigjeni. Sinqerisht, këto mungesa jetësore kanë ngritur dyshime të forta te prokurori i San Isidrio për vrasje me dashje. Aq shumë pakuptimësi janë shfaqur në atë shtëpi, ku nuk kishte asgjë që mund ta ndihmonte Maradonën të kapërcente sulmin në zemër, që më vonë i shkaktoi vdekjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat