Kupa e Shqipërisë starton në fundjavë

Futboll

Kupa e Shqipërisë starton në fundjavë

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 13:16
Kupa e Shqipërisë starton në fundjavë

Pas mbylljes së fazës së parë të kampionatit për femra, do të rikthehet këtë fundjavë Kupa e Shqipërisë për këtë kategori. Në këtë kompeticion të rëndësishëm do të marrin pjesë 12 ekipet e femrave, ndër to, edhe katër ekipet e reja që i janë shtuar kampionatit këtë sezon: Tirana, Partizani, Lushnja, Skënderbeu.

Por si funksionon Kupa e Shqipërisë për kategorinë e femrave? Katër ekipet e para të renditjes, Vllaznia, Apolonia, Tirana dhe Tirana AS do të kalojnë në mënyrë direkte në fazën çerekfinale, ndërsa tetë ekipet e tjera do të luajnë turin paraeliminator, ku do të ndeshen me njëra-tjetrën për të fituar një biletë për në çerekfinale. Ndeshjet do të jenë me sistem eliminimi direkt, sipas shortit të përcaktuar. Ditën e shtunë do të luhen tre ndeshjet e para të turit, ndërsa të dielën do të luhet ndeshja e fundit.

Në Shkodër, Juban Danja do të presë juglindoret e Bilisht Sportit. Një ndeshje e lehtë për shkodranet, të cilat këtë sezon në kampionat kanë bërë mirë, duke e mbyllur klasifikimin në fazën e parë në vendin e pestë.Në Tiranë, Kinostudio do të presë vajzat e Lushnjes. Kryeqytetaset duken si më të favorizuara, përballë një Lushnje që ka arritur vetëm një fitore në 11 javë lojë.Për herë të parë, të kuqet e Partizanit do të përjetojnë emocionet e këtij kompeticioni. Shorti i ka përcaktuar përballë shkodranet e AAS, të cilat do të kërkojnë të përfitojnë nga hera e parë e kryeqytetaseve në këtë garë.Bregdetaret e Teutës do të presin në Durrës Skënderbeun. Të dyja ekipet kanë pasur mjaft luhatje në kampionat dhe ndeshja duket e vështirë për të dyja ekipet.

Katër ekipet e dala nga ky tur do të vijojnë rrugëtimin për në çerekfinale, ku do të gjejnë katër skuadrat që renditen në “TOP 4” në kampionat.

Ndeshjet e turit para-eliminator:

E shtunë/ Juban Danja – Bilisht Sport 13:00
E shtunë/ KF Teuta – Skënderbeu 13:00
E shtunë/ Kinostudio – Lushnja 14:00
E diel/ Partizani – AAS 13:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat