Tirana pret Kukësin

Futboll

Tirana pret Kukësin

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 18:39
Tirana pret Kukësin

Sa shumë të përbashkëta në Tirana-Kukësi, fate skuadrash, e trajnerësh që përputhen. Tirana dhe Kukësi janë dy rivalët e mëdhenj të titullit të sezonit të shkuar që në fund shpërbleu bardheblutë, por këtë edicion, në nisje të gjysmës së dytë të kampionatit, në të dyja kampet nuk e përmendin fjalën titull, pasi kanë bërë një kampionat shumë poshtë pritshmërive dhe deri më tani kanë të njëjtin numër pikësh, 26.

Ndryshime trajnerësh e mungesë stabiliteti, por Mirel Josa në prezantim deklaroi se duhet të ishin të çmendur të mendonin në këtë moment për titullin, ndërsa edhe Orges Shehi preferon të përsërisë idiomën e famshme, të shohim ndeshje pas ndeshjeje. Të dy teknikët e dinë se nuk ju bën mirë të shohin Vllazninë, mund t’ju merren mendtë nëse hedhin sytë aq lart, ndaj ju duhet të ndërtojnë një kampionat më vete, krejt ndryshe nga ai që skuadrat e tyre kanë zhvilluar deri më tani.

Si Josa ashtu edhe Shehi kanë vetëm nga dy ndeshje në drejtimin e skuadrave respektive dhe përballen me vështirësi të shumta, të mbrujtura edhe nga klubet përkatëse që në fillim të sezonit bënë ndryshime të mëdha në organikë, te Tirana të detyruara në dy fazat e para edhe për shkak të mungesave ndërsa Kukësi ju nënshtrua një rikonstruksioni total.

Të dy trajnerët, secili me nga një të kaluar në stolin kundërshtar, Josa te Tirana dhe Shehi te Kukësi ngjasojnë më tepër me dy doktorë që kanë marrë përsipër misionin të shërojnë pacientët e tyre në një sfidë ku kolegët që ju paraprinë nuk kishin sukses.

Në këtë sfidë Tirana dhe Kukësi nuk vijnë si pretendentë për titullin, edhe pse thellë-thellë në zemër dëshira që të ndodhë një mrekulli që i katapulton drejt ambicieve të vjetra nuk mungon, por më parë ato duhet të gjejnë vazhdimësinë dhe t’i ngjisin shkallët në klasifikim një e nga një, duke filluar nga kjo përballje direkte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat