Kryetari i FFK-së uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Futboll

Kryetari i FFK-së uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Nga: K.G. Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 11:03
Kryetari i FFK-së uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

 

 

"Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore,

Familje të heronjve e të dëshmorëve,

Invalidë e veteranë të luftës;

Të nderuar futbollistë e futbolliste, drejtues të klubeve, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

17 Shkurti është data më e rëndësishme e historisë sonë të re.

Sot, Kosova feston 13 vjetorin e Pavarësisë, një ditë kjo sa e veçantë po aq e lavdishme dhe emocionuese.

Gjatë këtij rrugëtimi 13-vjeçar kemi bërë përparime të dukshme në çdo sferë të jetës, por kemi ende shumëçka për të bërë.

Për këtë ditë të madhe populli ynë kaloi nëpër shumë peripeci e sakrifica, prandaj çdo herë në ditë të tilla si kjo duhet të kujtojmë me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe i shërbyen atdheut nëpër dekada.

Sporti në këto 13 vjet është dëshmuar si ambasadori më i mirë i shtetit. E futbolli në këtë drejtim ka bërë shumë, pasi paraqitjet e suksesshme të Kombëtares tonë në të gjitha kategoritë, por edhe kultura e lartë sportive dhe kreativiteti i tifozëve tanë Dardanët kanë bërë që shteti ynë të promovohet në mënyrën më të mirë të mundshme kudo në botë.

Besoj fuqishëm se edhe gjatë këtij viti të arriturat e shtetit tonë nuk do të mungojnë, jo vetëm në sport por në çdo sferë tjetër.

Uroj që sa më parë ta tejkalojmë sfidën e madhe me pandeminë Covid-19 dhe t’i rikthehemi jetës normale, duke punuar secili prej nesh në profesionin e tij me kapacitete të plota në forcimin e shtetit tonë.

Gjithashtu, uroj që festat e ardhshme t’i kremtojmë me suksese të reja.

E gëzofshim për jetë e mot 17 Shkurtin!

Zoti e bekoftë Pavarësinë e Kosovës,

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës", ka shkruar Agim Ademi, president i FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat