Futbollisti i Shkëndijes: Shkojmë në Kratovë për fitore kundër Sileksit

Futboll

Futbollisti i Shkëndijes: Shkojmë në Kratovë për fitore kundër Sileksit

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 21:27
Futbollisti i Shkëndijes: Shkojmë në Kratovë për fitore

Kapiteni i Shkëndijes nga Tetova beson se skuadra ka arritur nivelin optimal në fazën përgatitore dhe tashmë përqendrimi maksimal është për takimin e të dielës me Sileksin në Kratovë.

Me një javë prolongim shkaku i kushteve atmosferike, Shkëndija të dielën pritet të zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare në vitin 2021, për start të gjysmësezonit pranveror.

Kuqezinjtë do të jenë mysafirë të Sileksit në Kratovë në një takim që duhej të luhej të dielën e shkuar kur skuadra edhe udhëtoi drejt Kratovës, mirëpo të rreshurat e borës sollën shtyerje të pesë ndeshjeve të Ligës së Parë. Kështu ekipi shfrytëzoi javën për të përgatitur këtë përballje të parë, ku Shkëndija kërkon fitore për ruajtje apo edhe zgjerim të diferencës në pozitën e parë në renditje, ku për momentin kemi 6 pikë më shumë se skuadrat ndjekëse.

“Vlerësoj se të gatshëm presim sfidën me Sileksin, për të cilën si pasojë e kushteve atmosferike pa planifikuar fituam një javë shtesë për tu përgatitur. Kemi lënë pas fazë cilësore përgatitore dhe ndeshje testuese me rival të fortë në Antalia.

Fizikisht mendoj se jemi në lartësinë e duhur, loja gjithmonë ka hapsirë për t’u përmirësuar dhe për këtë gjithë futbollistët jemi të bindur të japim më të mirën në terren”, shprehet kapiteni Egzon Bejtullai në vigjilie të startit të gjysmësezonit pranveror. Mbrojtësi vlerëson ekipin e Sileksit dhe bën ftesë për përqendrim maksimal bashkëlojtarëve, sepse lideri gjithmonë është frymëzim që rivalët të japin më të mirën.

“Secila skuadër dhe çdo futbollist fiton një motiv shtesë kur përballë ka ekipin e vendit të parë, ndërsa kjo vlen me theks të veçantë kur bëhet fjalë për Shkëndijën që në asnjë ndeshje nuk e ka të lehtë.

E ndjejmë se kundër neve secili rival ka motiv shtesë, duke dhënë gjithmonë më shumë dhe unë vlerësoj se ky fakt na bën edhe më të fortë neve si ekip. Shkojmë në Kratovë për fitore, të bindur se Sileksi ka skuadër shumë të mirë dhe që do të kërkojë me gjitha forcat të na ndal.

Por ne shkojmë më koka të qeta dhe me bindje për të dhënë më të mirën në fushë, të realizojmë planin e stafit teknik dhe nëse u përmbahemi detyrave që do të na jepen, besoj se në Tetovë do të kthehemi me tre pikët”, përfundoi Bejtullai.

Përballja Sileksi-Shkëndija në program është të dielën në stadiumin e qytetit në Kratovë, me fillim në orën 14:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat