Gruda nuk erdhi te dhomat e zhveshjes

Futboll

Gruda nuk erdhi te dhomat e zhveshjes

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 18:30
Gruda nuk erdhi te dhomat e zhveshjes

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar edhe ndeshjet e javës së 20 në kampionatin shqiptar. Ndeshja më e rëndësishme ishte ajo mes Tiranës dhe Teutës që është mbyllur në shifrat 0-1. Gjithçka është vendosur në pjesën e parë me durrsakët që kaluan në avantazh me anë të Lorenzo Vilës. Pas një krosimi të kalibrit të lartë nga Bregu, duke nxjerr huq gjithë mbrojtjen e bardhebluve, Vila i është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë për të mposhtur Bekajn.

Kryeqytetasit nuk po arrinin që të rrezikonin seriozisht portën e kundërshtarëve dhe në minutën e 70 ishte rasti i parë i rrezikshëm me gjuajtjen nga distanca që realizoi Ernest Muçi duke u ndalur në traversë. Hoxhallari e la ekipin me 10 lojtarë në minutën e 78, pasi u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda 3 minutave. Më pas do të ishte Gruda që mendoi për të mos dyfishuar rezultatin pasi humbi rastin e artë me portën e boshatisur.

Kjo humbje i rëndon shumë Tiranës pasi e bën të harrojë edhe Europën. Nga krahu tjetër Laçi vazhdon me hapin e kampionit pasi fitoi në shifrat 1-0 falë golit të Lushkjes. Kurbinasit kanë marrë fitoren e pestë radhazi dhe ndodhen vetëm 4 pikë larg Vllazninë kryesuese, me të njëjtën sasi pikësh me Teutën. Për t’u theksuar edhe fitorja e Bylisit në transfertën ndaj Apolonisë, teksa goli i Anthoni e ngjit në vendin e 8 që të dërgon në “Play-Out”. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Martini (Teuta): “Ishte e rëndësishmja ndeshja me Tiranën pasi na duhet pikët. E kishim të sigurtë që do të fitonim me Tiranën jo vetëm nga rezultatet pozitive që kemi marrë me të, por edhe për shkakun se kam parë një rendiment të jashtëzakonshëm të lojtarëve në stërvitje. Kemi bërë disa gabime në fazën e parë me lënien e pikëve. Kemi qenë të përqendruar për të mos pësuar gol dhe po të shohësh, ka shumë përballje që kemi zhvilluar ndeshje shumë të mirë dhe nuk kemi fituar. Ndonjëherë është edhe çështje fati. Gruda u mërzit shumë për humbjen e rasteve, nuk erdhi në dhomat e zhveshjes, po rrinte në pankinë. Është ende djalë i ri dhe duhet të mësohet”.

Duro (Laçi): “Duhet ta kishim mbyllur lojën me rastet e shumta që kishim. 1-0 nuk është rezultat që të siguron për fitoren dhe ky ishte objektivi ynë i vetëm. Në 5 ndeshje kemi marrë 5 fitore, kemi shënuar rregullisht, nuk kemi pësuar me shumë se një gol dhe kemi dominuar gjithmonë kundërshtarin. Nuabuezen e dënuan me të drejtë, Mazrekaj ka një kontraktim muskulor dhe pastaj Deliu. Kjo ndeshje na ka sakatuar shumë, por me rëndësi që të fitonim. Lojtarët më kuptojnë me sy mbyllur dhe duket nga rezultatet pozitive që nga ardhja ime. Dëmtimet e shumta na pengojnë dhe dënimi i Nuabuezes do të na dëmtojnë”.

Ndreu (Kastrioti): “Ishte një pjesë e parë shumë e dobët, Laçi mund të shënonte 2-3 gola në pjesën e parë. Ishim shumë të fjetur dhe nuk e menduam se po përballeshim ndaj një ekipi që është për titullin kampion. Bëmë zëvendësimet në pjesën e dytë dhe loja u balancua. Nëse do të ishim më të kujdesshëm mund të merrnim pikë.

Europa u largua? Për të shkuar atje duhet të kesh lojtarë që të kuptojnë se në çdo ndeshje duhet të luash si të jetë finale. Për të qenë i sinqertë, ne nuk mund të shkojmë më larg se ku jemi. Lojtarët nuk e kuptojnë ende gjendjen, duhet të jemi në kërkim të pikëve. Lojtarët kanë fryrjen se është siguruar objektivi, por harrojnë se futbolli është i brishtë dhe mund të ndodh gjithçka”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat