Seedorf: Evropa nuk ofron shanse të barabarta për trajnerët me ngjyrë

Futboll

Seedorf: Evropa nuk ofron shanse të barabarta për trajnerët me ngjyrë

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 10:56
Clarence Seedorf

Në futboll ka bërë një karrierë të jashtëzakonshme, sidomos me fanellën e Milanit ku ka fituar tituj e Champions, megjithatë Clarence Seedorf nuk po arrin të njëjtin sukses edhe si trajner, ku numëron vetëm disa eksperienca të shkurtra.

Në një intervistë të dhënë në prag të derbit të Milanos, ku ka veshur fanellat e të dy skuadrave, ish-mesfushori holandez ka përfituar nga rasti për të ngritur një shqetësim të tij, atë të mosbesimit ndaj trajnerëve me ngjyrë.

“Kam luajtur 12 sezone në Itali dhe pas Milanit, ku kam bërë një punë të mirë, nuk më ka ardhur më asnjë telefonatë. Holanda është vendi im dhe nuk më ka ardhur asnjë thirrje për t’u ulur në pankinë. Cilët janë kriteret e përzgjedhjes? Pse kampionët e mëdhenj nuk kanë asnjë mundësi në Europë, ku kanë shkruar historinë e futbollit? Pse Vieira duhet të shkojë të punojë në New York dhe Henry në Kanada? Jam i bindur se për trajnerët nuk ka mundësi të barabarta dhe nëse shikoni numrat, ka shumë pak trajnerë me ngjyrë, në nivele të larta. Megjithatë ky është një diskutim i gjerë, që përfshin tërë shoqërinë, pasi unë mendoj se të gjithë duhet të mbajnë dyert të hapur për ambiciozët e ata që e meritojnë, sepse suksesi mund të vijë nga njerëz të ndryshëm”, u shpreh Seedorf.

Tashmë në moshën 42-vjeçare, holandezi debutoi si trajner te Milani, ndërsa më pas ka drejtuar për pak kohë kinezët e Shenzhen, spanjollët e Deportivo La Corunës dhe kombëtaren e Kamerunit.

Clarence Seedorf ishte kandidat për të marrë edhe pankinën e Kombëtares Shqiptare dhe madje bëri edhe një takim me presidentin Armando Duka, por ky i fundit vendosi t’i besojë Christian Panuccit në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat