U ndëshkua për faj të Abazajt, kartoni i kuq i Rrocës trazon Turqinë

Futboll

U ndëshkua për faj të Abazajt, kartoni i kuq i Rrocës trazon Turqinë

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 14:01
U ndëshkua për faj të Abazajt, kartoni i kuq i Rrocës trazon Turqinë

Pas 6 fitoreve radhazi që e ngjitën në vendin e 2-të, Istanbulspori ku luajnë tre futbollistët shqiptarë Rroca, Abazaj dhe Et’hemi po kalon një moment jo në ligën e parë turke.

Distafa minimale 0-1 përballë një rivali direkt si Samsunspor ishte e treta rresht për skuadrën nga Stambolli që tashmë e sheh veten në vendin e 3-të, 6 pikë larg vendit të dytë pozicion që të ngjit direkt në elitën e futbollit turk. Gjithsesi polemikat për ndeshjen mes Istanbulspor dhe Samsunspor do të vazhdojnë gjatë kjo edhe për faktin se në minutën e 91-të të ndeshjes u regjistrua një episod vërtet i veçantë që kishte për protagonist kryesor Eduart Rrocën dhe që acaroi sëtepërmi drejtuesit dhe stafin teknik të skuadrës verdhezi.

Arbitri kryesor ndëshkoi me karton të verdhë ish-mesfushorin e Luftëtarit dhe Kukësit dhe papritur i tregoi atij në fytyrë kartonin e kuq duke e nxjerrë jashtë loje me arsyetimin se Rroca ishte ndëshkuar më parë me karton të verdhë.

Menjëherë stoli i Istanbulspor u ngrit në këmbë për të protestuar pasi Rroca nuk ishte ndëshkuar më herët dhe se gjyqtari kishte gabuar duke e ngatërruar atë me kuqeziun tjetër Kristal Abazaj i cili mori karton të verdhë në minutën e 59-të. Pas ndeshjes Istanbulspor doli me një komunikatë zyrtare duke i vënë në dukje gabimin gjyqtarit dhe duke i kërkuar të pranojë fajin.

“Lojtari ynë, Eduart Rroca, u përjashtua nga loja me karton të kuq nga gjyqtari Turgut Doman me arsyetimin se mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 90-të në ndeshjen që luajtëm kundër Samsunspor.Pavarësisht faktit që lojtari ynë që u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 59-të ishte Kristal Abazaj, ai bëri qartazi një gabim, edhe pse lojtarët dhe delegacioni ynë e kundërshtoi atë vendim. Turgut Doman u ka thënë lojtarëve dhe stafit në tunel:

“Ia tregova Rrocës në minutën e 59-të kartonin e verdhë dhe të dytin në minutën e 90-të. Ju kujtohet gabim. Do ua tregoj kartonin që ia dhashë në dhomat e zhveshjes”. Pas këtyre fjalëve, kërkesa jonë për të parë shënimet e arbitrit u refuzua. Ne presim që ai ta pranojë gabimet dhe ato që na tha t’i shtojë në raporton e tij’, lexohet në komunikatën e Istanbulspor.

Mbetet për t’u parë tashmë nëse komisioni i Disiplinës në ligën e parë turke do të marrë parasysh gabimin e gjyqtarit Doman dhe nuk do ta ndëshkojë me një ndeshje pezullim Eduart Rrocën. Sfidën ndaj Istanbulspor e nisën si titullarë Rroca dhe Abazaj ndërkohë që Valon Et’hemi zëvendësoi pikërisht Kristal Abazajn në minutën e 63-të. Eduart Rroca është shqiptari që ka spikatur më shumë në këtë sezon me Istabulspor duke realizuar 6 gola ndërsa është i pari në kampionat përsa i përket asisteve më 9 të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat