Tirana AS kalon në gjysmëfinale

Futboll

Tirana AS kalon në gjysmëfinale

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 15:09
Tirana AS kalon në gjysmëfinale

Është luajtur ditën e sotme ndeshja mes ekipeve të femrave Tirana AS – Teuta, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës e Shqipërisë, që përfundoi me fitoren 6:0.

Teuta vinte në këtë ndeshje pas një fitoreje të thellë që mori në Durrës ndaj Skënderbeut, por nuk ia doli të kalonte në gjysmëfinale, me vajzat e Tirana AS që u treguan më të forta dhe arritën të shënonin 6 herë në portën e durrsakeve.

Ndeshja nisi kërkuese nga të dyja palët, me raste që nuk munguan dhe goli i parë erdhi shumë shpejt me Estele Goufram, që shënoi në minutën e pestë për Tirana AS duke kaluar në avantazh kryeqytetaset. Tre minuta më vonë, Troka shënon golin e dytë për Tirana AS, duke e dërguar rezultatin në 2-0. Pavarësisht rasteve që patën të dyja skuadrat, pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat.

Pjesa e dytë nisi e vrullshme, me Teutën që kërkoi disa herë të ngushtonte rezultatin por pa fat. Në minutën e 69-të Mei shënon golin e tretë për Tirana AS, ndërsa dy minuta më vonë, Koldashi shënon të katërtin gol, duke thelluar rezultatin me shifrat 4-0. Kotaria shënon golin e pestë në minutën e 75-të, ndërsa Koldashi përmes pikës së bardhë të penalltisë shënon golin e dytë personal dhe të fundit për tiranaset, duke vulosur rezultatin me shifrat 6-0.

Tirana AS bëhet kështu gjysmëfinalistja e dytë e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për femra, pas Vllaznisë që mundi javën e kaluar Juban Danjën në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat