Derbi i madh në Londër

Futboll

Derbi i madh në Londër

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 11:10
Derbi i madh në Londër

Kampionati anglez ka lënë pas 2/3 e ndeshjeve dhe tani cdo takim merr një rëndësi të veçantë dhe influencon ndjeshëm në klasifikimin e përgjithshëm.

Të dielën pasdite Premier League ofron duelin Chelsea–Manchester United, duke kthyer në këtë mënyrë sërish rivalitetin e ashpër ndërmjet bluve dhe djajve të kuq. Dy klubet e mbyllën edicionin e kaluar në kuotë të njëjtë pikësh, megjithatë në fund Red Devils merituan vendin e tretë, për shkak të golaverazhit më të mirë. Këtë herë ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer ndodhet në pozita akoma më të mira dhe për momentin ka avantazhin e 6 pikëve në tabelën e renditjes.

Rivaliteti mes dy klubeve është rritur ndjeshëm në tre dekadat e fundit, ndërkohë edhe në fushën e lojës në të gjithë kompeticionet Chelsea dhe United i kanë provuar që të tre rezultatet e mundshme në tre sfidat e fundit ndërmjet tyre.

Nëse djajtë e kuq vazhdojnë t’i besojnë 48-vjecarit norvegjez te blutë presidenti Roman Abramovich ndryshoi shpejt kursin e ekipit, duke shkarkuar trajnerin e mëparshëm, ish-kapitenin legjendar të klubit Frank Lampard, për t’i besuar timonin teknikut gjerman Thomas Tuchel.

Dy vjet më parë 47-vjecari bavarez pësoi zhgënjimin më të madh në karrierë, teksa red devils i përmbysën brenda në Parc des Princes fitoren 2-0 që Paris SG kishte regjistruar brenda në Old Trafford, falë një 11-metërshi të dyshimtë të shndërruar në gol nga Marcus Rashford në 94’ të takimit të kthimit për fazën e 1/8 në Champions League. Sidoqoftë trajneri shvab mori hak pikërisht në edicionin e sivjetshëm, me skuadrën pariziene duke kthyer humbjen 2-1 që pësoi në kryeqytetin francez me triumfin 3-1 brenda në Teatrin e Ëndërrave, për të flakur kështu pa mëshirë djajtë e kuq jashtë Champions-it, që në fazën e grupeve. Tani Ole Gunnar Solskjaer dhe Thomas Tuchel do të përballen për herë të parë ndërmjet tyre në Premiership, për më tepër në rrethana krejtësisht të ndryshme. United do të zbresë në kryeqytetin anglez me plot 19 ndeshje pa humbje jashtë fushe në Premier League.

Disfatën e fundit larg Manchester-it United e ka marrë 13 muaj më parë, më saktë në humbjen 2-0 që ekipi pësoi në Anfield nga kampionët e Liverpulit. Që nga 19 janari i vitit të shkuar OGS ka udhëhequr skuadrën e tij në plot 13 fitore e vetëm 6 barazime në sfidat jashtë fushe në kampionatin anglez, gjithsesi situata duket sikur po ndryshon edhe te blutë, pas largimit të Frenkit nga stoli.

Thomas Tuchel e nisi aventurën e tij të re me ekipin londinez me një barazim pa gola brenda në Stamford Bridge ndaj Wolves, gjithsesi nën drejtimin e trajnerit gjerman Chelsea po rritet dhe nuk njeh më humbje. United do të paraqitet në Londër me vetëm 3 fitore brenda kohës së rregullt në 9 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet. Djajtë e kuq barazuan takimin e kthimit në Old Trafford me Sociedad-in në Europa League, kompeticion ku United u shortua me kuqezinjtë e Milanit.

 Ndeshja Chelsea–United do të luhet në orën 17:30 në Stadiumin Stamford Bridge dhe do të drejtohet nga kryesori Stewart Attwell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat