Me këtë formacion Shkëndija e mposhti Vardarin

Futboll

Me këtë formacion Shkëndija e mposhti Vardarin

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 18:35
Murati

Shkëndija nga Tetova koleksionojnë fitoren e 13-të sezonale duke e mundur Vardarin me shifrat 2:1 dhe pas 20-të xhirove shkëputemi në 8-të pikë para ekipit të vendit të dytë në renditjen tabelare.

Trajneri Gjoka në këtë sfidë vinte me një ndryshim në formacion, pasi Merxhani zuri vendin e Paviç-it të pezulluar. Me një Vardar të ngulfatur në probleme, Shkëndija ishte e kujdesshme për të mos lejuar që problemet e rivalit të ndikojnë në nënçmim dhe stafi teknik futbollistëve u kishte vendosur qëllim të fitojnë tre pikë dhe në asnjë mënyrë të rezikohet hap fals nën euforinë e kërkimit të një fitoreje bindëse përballë kundërshtarit të ‘plagosur’ nga problemet administrative e finansiare.

Një çerek ore u luajt futboll i qetë, për të shkuar më pas emocionet në maksimum në harkun kohor prej vetëm 60-të sekondave. Shkëndija gjeti epërsinë me Mevlan Muratin në minutën e 16-të kur mbrojtësi i djathtë fiton topin me presion të lartë në zonën kundërshtare, ndërsa shfrytëzon asistin e Ibraimit, duke gjetuar golin e parë në karierë në një ndeshje zyrtare. Këtu u duk se ndeshjes i dhamë drejtimin e duhur, por fatkeqësisht nuk largojmë topin si duhet nga zona jonë, Petkovski asiston për Mirçevskin i cili me goditje për toke mposht Zahovin për nivelizim të rezultatit.

Në pjesën e dytë Shkëndija nisi me dy zëvendësime kur Hebaj dhe Nafiu zunë vendet e Zejnullait dhe Elezit, me kuqezinjtë që hodhën gjithçka në sulm në kërkim të fitores. Sulmet ndërtoheshin me durim dhe në momente edhe Vardari dilte përpara duke tentuar të rezikojë. Kjo situatë na mundësoi të përdorim edhe kundërsulmin dhe në një rast të tillë bukur me top shërbehet Nafiu që depërton shpejtë dhe ndalet me faul para zonës nga Viktor Velkovski. Armend Alimi merr përgjegjësinë të egzekutojë goditjen, duke prodhuar një kryevepër që ndalet në rrjetë të Iliqit dhe Shkëndija shef veten sërish përpara, tani 2:1.

Vardari dëshiroi të përgjigjet, por Shkëndija kontrolloi gjithçka dhe madje kishte disa kanosje për gol të tretë. Da Silva do të shpërdoronte një super mundësi kur kishte të vetmuar Alimin e Nafiun, ndërsa pak më vonë goditja me kokë e Bejtullait u prit bukur nga Iliq. Në fund tre pikët shkuan në konton e Shkëndijës që me fitoren e 13-të sezonale shkëputet 8-të pikë para Shkupit të vendit të dytë. Ndeshjen e radhës e luajmë të mërkurën kur jemi mysafirë të Rabotniçkit.

SHKËNDIJA – VARDARI 2:1 (1:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
Golashënues: Murati 16’ dhe Alimi 62’ (Shkëndija), ndërsa Mirçevski 17’ (Vardari)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Neziri, Bejtullai (c), Merxhani, Dita, Alimi, Doriev (Qaka 73’), Elezi (Nafiu 46’), Zejnullai (Hebaj 46’), Ibraimi (Da Silva 86’).
Trajner: Ernest Gjoka
VARDARI: Iliq, V. Velkovski, Raduloviq-Veliçkoviq, Petkovski, Bllazhevski (c) (Partalko 58’), Gjurkovski, Llazareviq, D. Velkovski (Guguljanov 72’), Krstevski, Mirçevski, Najdenov.
Trajner: Nikolla Ilievski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat