Grumbullimi i U-15, flet trajneri Dama: Ka elementë shumë cilësorë

Futboll

Grumbullimi i U-15, flet trajneri Dama: Ka elementë shumë cilësorë

Më: 2 mars 2021 Në ora: 11:18
Grumbullimi i U-15, flet trajneri Dama: Ka elementë shumë cilësorë

Shqipëria e 15 vjeҫarëve, nën drejtimin e trajnerit Armand Dama, është duke zhvilluar një grumbullim 3 ditor në kompleksin Tropikal, për të parë nga afër elementët e datëlindjes 2007 që janë riseleksionuar nga ekipet përfaqësuese rajonale që janë organizuar në 8 zyrat rajonale të Federatës së Futbollit.

Për të folur mbi përgatitjet dhe grupin e lojtarëve në dispozicion, trajneri Dama ka dhënë një prononcim për fshf.org, ku nuk ka hezituar të bëj një falenderim për besimin që treguan ndaj tij duke e rikonfirmuar në drejtimin e U-15. “Duhet të falenderoj Presidentin e Federatës, Armand Duka, dhe stafin e ekipeve kombëtare, për besimin që tregoi ndaj meje duke më besuar përsëri drejtimin e Kombëtares U-15. Mendoj se kemi punuar mirë dy vitet e para me këtë skuadër dhe premtoj se do të vazhdoj në të njëjtën rrugë.

Ne kemi përzgjedhur element nga e gjithë Shqipëria, duke bërë një ri-seleksionim, sepse së pari janë seleksionuar nga stafet e ekipeve përfaqësuese rajonale, duke ditur që kemi 8 zyra rajonale të cilët kanë përzgjedhur lojtarët më të mirë në zonat e tyre.

Ne më pas kemi përzgjedhur lojtarët më cilësor të datëlindjes 2007, që këtë vit do të jenë pjesë e skuadrës U-15. Ka lojtarë cilësor, shpresoj të punojmë mirë dhe ti përgatisim mirë lojtarët për ti ҫuar më pas te U-17 dhe më lart. Ka element shumë cilësorë, gjithmonë në ҫdo brez kemi pasur individë cilësorë, të cilët më punë të mirë do të ecin për të qenë pjesë e ekipit përfaqësues në të ardhmen”, ka përfunduar fjalën e tij trajneri Dama.

Ditën e fundit të grumbullimit, skuadra kombëtare e 15 vjeҫarëve do të zhvillojë një ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e Teutës së Durrësit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat