Shehi: Suksesi në Shkodër s’do kishte asnjë rëndësi pa fitoren

Futboll

Shehi: Suksesi në Shkodër s’do kishte asnjë rëndësi pa fitoren

Më: 2 mars 2021 Në ora: 12:16
Shehi: Suksesi në Shkodër s’do kishte asnjë rëndësi pa fitoren

Pas një fitorje të bukur si ajo ndaj Vllaznisë kryesuese, brenda në “Loro Boriçi”, duhet patjetër vazhdimësia. Tirana e sheh veten përballë ballshiotëve në duelin e radhës të Superiores. Trajneri Orges Shehi doli para gazetarëve dhe bëri prognozën e kësaj ndeshjeje, ku do të kërkohen patjketër 3 pikët.

“Personalisht jam i mendimit se nuk ka kundërshtar të lehtë, sidomos në këtë fazë të kampionatit, ku skuadrat kanë objektiva të qarta. Nuk është e lehtë ndaj Bylisit, por ndeshje që do vlerësim maksimal.

Skuadra jonë akoma nuk është në 100%, kemi mungesa. Najdovski akoma nuk është bashkuar me grupin, po ashtu dhe Danso për arsye shëndetësore që dihen tashmë (Covid-19). Kemi pak probleme me Torasën dhe Kale, sepse fizikisht nuk janë 100%. Por, lojtarët që u futën në fushë ndaj Vllaznisë, mendoj se e përligjën besimin tim. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm.

Objektivi i Tiranës? Ne futemi në fushë për të dhënë dhe marrë maksimin nga ndeshjet. E dimë shkallën e vështirësisë, por kurrsesi nuk duhet të mendojmë humbjen apo barazimin. Le të japim 100% tonë në fushë. Se çfarë prodhon fusha, është një tjetër gjë pastaj. Jemi në një situatë, ku pikët konsiderohen të domosdoshme. Do të luftojmë shumë për t’i marrë ato.

Nën drejtim tim, skuadra është shfaqur mirë, përveç ndeshjes me Teutën, ku nuk ishim vetvetja. Ajo ishte një ndeshje për t’u harruar. Me Kukësin nuk morëm atë që merituam. Duhet të vazhdojmë me këtë dëshirë, përqendrim dhe impenjim, për të bërë mirë dhe për të pasur vazhdimësinë, që është shumë e nevojshme.

Pa fitore ndaj Bylisit këtë sezon? E vërtetë, luajmë ndaj një kundërshtari, që s’e kemi mundur asnjë ndeshje në këtë kampionat. Do të bëjmë çmos për ta fituar ndeshjen. Ky kundërshtar, javët e fundit po bën mirë, ta vështirëson manovrën e lojës. Terreni shpresoj të jetë në gjendje të mirë, që skuadra jonë të shprehet si duhet.

Sulmi shpërdoron? Për mendimin tim, ia kam thënë dhe atij, Seferi është një nga lojtarët tanë kryesorë. Jo më kot u zgjodh lojtari i ndeshjes me Vllazninë, për atë që i dha skuadrës. Sigurisht që sulmuesi do të humbi edhe raste, por kur prodhon shumë dhe e mban mbrojtjen kundërshtare gjithmonë në tensionon, po kështu shërben. Unë besoj se ka bërë mirë. Dha asistin te goli i dytë i Kale në Shkodër. Ka shënuar 2 gola, kam besim tek aftësitë e tij. Shpresoj që nesër të shënojë, për të marrë frytet e asaj që krijon.

Fitorja ndaj Vllaznisë ishte shumë e rëndësishme, për momentin ku ishim. Ky sukses duhet të na shërbejë për vazhdimësinë. Në qoftë se nuk fitojmë ndeshjen e radhës, gjithçka shkon dëm. Ne duhet të shikojmë ndeshjen e radhës. Të rikuperojmë pikët dhe të arrijmë atë rival që kemi përpara në renditje. Pastaj, në fund fare bëhet llogaritë. Gara është e gjatë, ka shumë pikë në lojë, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat