Muller është një luftëtar

Futboll

Muller është një luftëtar

Më: 2 mars 2021 Në ora: 17:51
Muller është një luftëtar

Nëse ekziston dikush që ka nisur ta shijojë rikthimin në skuadër, ai është pa dyshim Thomas Muller.

Mesfushori gjerman i Bayernit luajti disa minuta në përballjen me Këlnin duke dhënë edhe asist për skuadrën e tij në një nga 5 golat e shënuar. E hëna ishte ditë pushimi për skuadrën, por jo për Mullerin.

Në një ditë me diell në qiellin e Mynihut, 31-vjeçari u shfaq i vetëm në qendrën stërvitore i shoqëruar nga trajneri i dytë. Vrapime, ushtrime, streçing dhe goditje në portë ishte programi i ditës.

Ndërkohë, kjo nuk u kalua pa u vënë re nga pjesa tjetër e skuadrës e cila edhe pse nuk zbriti në fushë, qëndronte në ambientet e klubit për fizioterapi.

Robert Lewandowski ishte një prej tyre i cili, i buzëqeshur, shihte teksa Muller djersiste dhe “vuante” i vetëm në fushë. Në mungesë të punëtorëve të fushës, Mullerit iu desh të mbante topat i vetëm, një skenë humori e cila nuk u shpëtoi fotografëve dhe gazetarëve të cilët ndodheshin në ambientet e klubit.

“Bild” e cilësoi stërvitjen e djeshme të Mullerit si një tregues i qartë i vullnetit dhe dëshirës që ai ka për të luajtur dhe shërbyer skuadrës. COVID e la atë dy javë jashtë fushave duke i mohuar lojtarit pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Botës për Klube.

Por, Thomas është një luftëtar, i gatshëm të rikthehet në momentin më të rëndësishëm për skuadrën.

Ndërkaq, lajmet për një rikthim në kombëtare sa vijnë edhe shtohen, duke marrë shkas edhe nga fjalët e trajnerit të kombëtares, Joakim Lëw, i cili u shpreh se kishte ardhur momenti që Muller të rikthehej në kombëtare për t’i sjellë skuadrës energji të reja. Këto fjalë para Europianit i kanë dhënë një impuls më shumë lojtarit i cili realisht do të ishte një armë më shumë për “Pancerat”.

Teksa klasikja me Dortmundin po afrohet, nuk mungoi edhe një batutë e ish kampionit të botës, teksa po dilte nga fusha e stërvitjes: “Dortmundi është një ndeshje të cilën e luajmë si të ishte një finale. Sfida të tilla janë motivim për ne. Duam të tregojmë që jemi kampionët në fuqi dhe se titulli duhet të vijë sërish në Mynih në fund të sezonit”.

Mesazhi i Mullerit është i qartë, edhe në këtë përballje Bayerni është favorit për të fituar ndaj rivalit të përjetshëm në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat