Pirlo: Synojmë të jemi në majë deri në fund

Futboll

Pirlo: Synojmë të jemi në majë deri në fund

Më: 3 mars 2021 Në ora: 11:40
Pirlo: Synojmë të jemi në majë deri në fund

Juventusi fitoi dje kundër Spezia me rezultatin 3-0 dhe në pamje të parë mund të duket një fitore e lehtë, por nuk ishte kështu. Bardhezinjtë vuajtën shumë në orën e parë të takimit dhe trajneri Andre Pirlo është shprehur se ka ndikuar lodhja në skuadrën e tij.

“Fillimi i ngadaltë erdhi më shumë prej aspektit fizik se prej atij psikologjik. Mund të ndodhë kur luan shumë ndeshje me të njëjtët lojtarë. U munduam të kontrollojmë ndeshjen dhe kur erdhën këmbët e freskëta ishim më në formë dhe gjendje të shfrytëzonim rastet tona.

Ishte e rëndësishme që mesfusha të shtynte përpara dhe sulmi të krijonte hapësira. Ne synojmë të krijojmë situata një kundër një dhe ta fusim topin në zonë, ku kemi lojtarë që mund të të dëmtojnë. Ndonjëherë këtë e bëjnë anësorët dhe ndonjëherë mbrojtësit”, tha fillimisht Pirlo për “Sky Sport Italia”.

ALTERNATIVAT – “Kemi një skuadër të shkëlqyeshme, por fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi të bëj aq ndryshime sa dua kohët e fundit. Mund të bëjmë më shumë rotacion për të freskuar skuadrën dhe për të ndryshuar lojën. Morata është lojtari që donim për karakteristikat që ka, ai sulmon hapësirat, shënon gola, por edhe luan për ekipin.

Na ka munguar në ndeshjet e fundit, por shpresojmë që së shpejti të rikthehet në formën më të mirë. Shpresojmë që edhe disa lojtarë të tjerë të kthehen gjatë ditëve në vazhdim. Humbëm edhe Matthij De Ligt gjithashtu, pasi mori një goditje në pulpë në ndeshjen kundër Verona dhe në nxehje e ndjeu sërish.

Nuk besoj të jetë diçka serioze, por do të bëjë disa teste për të parë gjendjen.  Weston McKennie gjithashtu nuk është në maksimumin e tij. Ju mund ta shikoni si vrapon dhe pason. Ndjen akoma dhimbje dhe maksimalisht mund të luajë 45-60 minuta”, shtoi trajneri i Juventusit.

RIVALITETI ME INTERIN – Pirlo është i qartë, teksa thekson se Juventusi deri në fund do ta tentojë titullin kampion. “Diferenca e vetme me Interin janë pikët. Ne e dimë se do të jetë një garë e gjatë. Interi ka një skuadër që luajnë së bashku prej dy vitesh, ndërsa ne nisëm këtë sezon. Synojmë të jemi në majë deri në fund”, ka përfunduar trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat