Rexhepi: Është momenti i fundit që Agim Aliu të zgjohet nga gjumi

Futboll

Rexhepi: Është momenti i fundit që Agim Aliu të zgjohet nga gjumi

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 3 mars 2021 Në ora: 12:24
Amir Rexhepi

Sporti në komunën e Ferizajt është në pikën më kritike në vitet e fundit. 

Futbolli po mbahet ashtu si po mundet dhe nuk kanë as stadium të mirëfilltë. 

Basketbolli tash e katër vite është shuar të meshkujt dhe edhe sportet tjera ekzistojnë mezi në këmbët e veta, me përjashtim të hendbollit deri diku ka gjetur qetësinë. 

Asambleisti i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Amir Rexhepi, ndër të vetmi që ngritë problemet edhe të sportit në këtë qytet, tha se është momenti i fundit që kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, që të zgjohet nga gjumi.  

“Bota sot”: Ju si asambleist, si shpesh e ngriteni zërin për shumë çështje, kohët e fundit edhe për sport. A është sporti në pikën me të ulët apo më kritike në Komunën e Ferizajt?

Amir Rexhepi: Me sa mbaj mend unë, kurrë sporti në Ferizaj nuk ka qenë më keq, është për të ardhur keq në çfarë gjendje e kanë sjellur sportin në Ferizaj, konkretisht futbollin dhe basketbollin.

“Bota sot”: A keni kërkuar llogari edhe nga i pari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, për privatizimin e KF Ferizaj në fillim të korrikut të vitit 2018, ku edhe vet ishte në atë manifestim dhe ku mbet puna?

Amir Rexhepi: Kryetari Agim Aliu asnjëherë nuk ka dhënë sqarime në Asamblenë Komunale lidhur me mënyrën e privatizimit të klubit të KF Ferizajt.

“Bota sot”: Jo vetëm futbolli që është në krizë, por edhe basketbolli është shuar në konkurrencën e meshkujve tash e 4 vite, do ta shtroni edhe këtë çështje? 

Amir Rexhepi: Po, lidhur me basketbollin do të kërkojmë sqarime nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Bota sot”: Ka vite që flitet për ndërtimin e një stadiumi, një projekt vetëm në letër, ku qëndron faji?

Amir Rexhepi: Një memorandum i nënshkruar në mes të Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka mbetur vetëm në letër, asgjë konkrete në këtë drejtim nuk ka, nuk kanë filluar punimet fare.

“Bota sot”: A është turp që Ferizaj mos ta ketë një stadium, ndërsa ai vjetri është shndërruar në një fushë ku kullosin kuajt dhe ky i riu pas palestrës së sportit është një stadium i zorit. Tani KK i Ferizajt mburret me një fushë ndihmëse që e kanë ndërtuar, a është një arritje apo një hedhje pluhuri ndaj syve të sportdashësve? 
Amir Rexhepi:

Komuna nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, në ndërtimin e një stadiumi, i cili është shumë i nevojshëm për klubet sportive të Komunës së Ferizajt, sepse momentalisht kemi një stadium i cili nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Mendoj që është momenti i fundit që kryetari të zgjohet nga gjumi dhe të mendoj seriozisht për sportin ferizajas, e kemi obligim për gjeneratat e arta që kanë sjellur tituj në Ferizaj, e kemi obligim për të rinjtë e qytetit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat