Apolonia “macja e zezë” e Partizanit

Futboll

Apolonia “macja e zezë” e Partizanit

Më: 3 mars 2021 Në ora: 15:32
Apolonia “macja e zezë” e Partizanit

Apolonia kthehet në macen e zezë të Partizanit. Për të dytën herë radhazi të kuqtë nuk arrijnë dot të mposhtin fierakët që bëjnë një super ndeshje ndaj të kuqve. Harizaj ishte heroi i vendasve teksa priti pothuajse gjithcka që i vinte në rrezen e tij duke ndalur Partizanin për të dytën sfidë radhazi.

Në fakt, në Loni Papuçiu gjithcka e bënë të kuqtë, pasi ishte Hakaj që shënoi një autogol ndërsa në pjesën e dytë goli i Cardozos nuk mjaftoi për kryeqytetasit, që krijuan shumë por nuk arritën të ishin konkret duke shpërdoruar një mundësi të mirë për të ushtruar më tepër presion ndaj Vllazninsë kryesuese. Dhe sforco e minutave të fundit nuk e prodhoi dot golin e fitores për Partizanin, që ndalet për të dytën ndeshje radhazi nga Apolonia, në një kampionat që tregon se pavarësisht vendeve dhe pikët në renditje, diferncat janë të pakta dhe fitore të sigurtë nuk ka, shkruan supersport.

Pas tre barazimeve radhazi në Kategorinë Superiore më në fund Tirana dhe Bylisi nxorrën një fitues dhe këtë herë 3 pikëve iu gëzuan bardheblutë, të cilët u kthyen në rrugën e fitoreve, duke shënuar nga një gol për cdo pjesë me anë të mbrojtësve Behiratche dhe Ismajlgeci. Fitorja e dytë në vetëm pesë ditë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Orges Shehi dhe pavarësisht luhatjeve të shumta përgjatë sezonit befas klubi i mirënjohur kryeqytetas i shikon rivalët e Partizanit vetëm 7 pikë larg, në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit shqiptar. Një ndeshje që nuk ofroi mundësi të pastra shënimi, por sidoqoftë bardheblutë e interpretuan më mirë takimin dhe merituan për ta fituar ndeshjen.

Misioni mbijetesë po kthehet në një “mal të lartë” me shumë pengesa për Skënderbeun që pësoi një tjetër humbje në kampionat pasi u mposht sërish minimalisht, këtë herë brenda në Korçë nga një rival direkt si Kastrioti. Mjaftoi një gol i brazilianit Devid Da Silva në fillimin e pjesës së dytë që Kastrioti të rikthehej te fitorja në kampionat dhe të merrte tre pikë të arta që ia bëjnë më të lehtë objektivin mbijetesë ndërkohë që edhe në këtë sfidë nuk munguan protestat e skuadrës së Memellit, me Skënderbeun që pretendoi për një penallti të padhënë.

Kjo disfatë Skënderbeun e lë në vendnumëro, 5 pikë pas Bylisit të vendit të 8-të, ndërkohë që Kastrioti në +10 avantazhin ndaj ballshiotëve dhe me shumë gjasa do ta sigurojë mbijetesën pa ndeshje shtesë. Pjesa e parë në Korçë prodhoi pak me dy skuadrat që u treguan të kujdesshme duke studiuar në maksimum njëra-tjetrën. Në minutën e 14-të Skënderbeu provoi të rrezikonte me Mensah por sulmuesi ganez nuk përfitoi nga një top i mbetur në zonë, pas krosimit të Elvi Berishës. Vetëm një minutë më pas Skënderbeu provoi me Arinaldo Rrapaj por tentativa e tij u prit pa vështirësi nga Hidi.

Kastrioti u përpoq të reagonte por krosimi i Patrik Bardhit në të 34-ën nuk shkoi në destinacion pasi u largua nga Meksi. Në minutën e 40-të Dumfur humbi një top në mesfushë dhe Kastrioti u nis në një kundërsulm të shpejtë por nuk rrezikoi dot portën e Dajsinanit pasi ishte vetë Dumfur që rikuperoi gjithçka. Pjesa e parë u mbyll me tension pas një zënke mes Zguros dhe Bardhit teksa u desh ndërhyrja e lojtarëve të tjerë për të qetësuar situatën. Fraksioni i dytë i lojës nisi me ndryshime në radhët e të dyja skuadrave, me Kastriotin që kishte një marsh më shumë.

Në minutën e 51-të një krosim i bukur i Nezirit nga e djathta e sulmit u shfrytëzua mësëmiri nga sulmuesi brazilian Devid i cili me kokë mposhti Dajsinanin duke i dhënë epërsinë skuadrës së Ndreut. Në të 55-ën, Kastrioti iu afrua dyfishimit por Dajsinani u tregua në lartësinë e duhur pas goditjes së Dacit.

Në të 66-ën korçarët e Memellit pretenduan për një penallti pas një kontakti në zonë mes Mensah dhe Çelës, por gjyqtari kryesor Olsid Ferhataj lejoi vazhdimin e lojës. Në minutën e 72-të Skënderbeu kishte shansin ideal për të barazuar por Meksi gjuajti keq pas asistit që mori nga Pusi. Edhe goditja e Dovunës në të 83-ën ishte e pasaktë duke shkuar mbi traun e portës. Kaq për Skënderbeun në këtë sfidë me bardhekuqtë që pësoi një tjetër humbje duke venitur shpresat për mbijetesën ndërkohë që Kastrioti pas kësaj fitoreje është thuajse i shpëtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat