​Liverpool-Chelsea, derbi mes dy trajnerëve gjerman Klopp e Tuchel

Futboll

​Liverpool-Chelsea, derbi mes dy trajnerëve gjerman Klopp e Tuchel

Më: 4 mars 2021 Në ora: 19:22
​Liverpool-Chelsea

Një ndër derbit më atraktiv të Premier Ligës angleze do të zhvillohet sot në “Anfield Road”, ku kampioni Liverpool pret në shtëpi skuadrën londineze Chelsea-n.

Mysafirët qëndrojnë një pozitë më lart se vendasit, ku të dy skuadrat i ndajnë vetëm një pikë mes vete, dhe një fitore e mundshme nga Liverpooli ose Chelsea, do t’i ngritë në pozitën e katërt, pasi që skuadra e West Ham nuk do të zhvillojë ndeshje këtë xhiro.

Liverpooli në katër ndeshjet e fundit si vendas ka katër humbje radhazi, seria më e dobët e rezultateve që nga viti 1923, dhe gjithashtu aq humbje sa ka në 100 ndeshjet e para nën drejtimin e Jurgen Klopp.

Një humbje sot kundër Chelsea-t, do të ishte e pesta radhazi në Anfield, kjo gjë që do të ndodhte për herë të parë në histori të klubit.

Në anën tjetër, që nga zëvendësimi i Frank Lampard me Thomas Tuchel, Chelsea,, është duke kaluar nëpër një formë tejet të mirë, ku nën urdhrat e gjermanit, në nëntë ndeshje të zhvilluara, nuk dinë për humbje, pasi që kanë gjashtë fitore dhe tre barazime.

Klopp për këtë ndeshje nuk mund të llogaritë në shërbimet e Jordan Henderson, Joe Gomez, Virgil van Dijk, Joel Matip dhe Caoimhin Kelleher, ku të gjithë janë të lënduar.

Tek skuadra e Chelsea-t, Tuchel nuk do të ketë probleme me lëndime, ku në dyshim për paraqitje janë vetëm Thiago Silva dhe Tammy Abraham.

Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni të bashkangjitura më poshtë.

Liverpool (4-3-3): Alisson; Alexander-Arnold, Phillips, Fabinho, Robertson; Thiago, Wijnaldum, Jones; Salah, Firmino, Mane

Chelsea (3-4-3): Mendy; Azpilicueta, Christensen, Rudiger; James, Kante, Kovacic, Alonso; Mount, Giroud, Werner

21:15 Liverpool (6) – Chelsea (5) (Stadiumi Anfield Road)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat