Gattuso përjashton mbrojtësin nga stërvitja

Futboll

Gattuso përjashton mbrojtësin nga stërvitja

Më: 5 mars 2021 Në ora: 11:53
Gattuso përjashton mbrojtësin nga stërvitja

Barazimi i beftë në transfertën ndaj Sassuolos, me një penallti naive të shkaktuar nga mbrojtësi grek Kostas Manolas në sekondat e fundit të kohës shtesë, ka rritur ndjeshëm tensionin në klubin e Napolit.

Menjëherë pas ndeshjes u pa trajneri Gattuso që të debatonte ashpër me mesfushorin Bakayoko, ndërsa edhe Lorenzo Insigne reagoi mjaft ashpër ndaj shokëve të skuadrës, duke lënë fushën e lojës mjaft i tensionuar.

Megjithatë asgjë nuk ka përfunduar në “Mapei Stadium”, pasi edhe me rikthimin e skuadrës në Napoli, nervat vijojnë të jenë të tendosura dhe trajneri Gattuso ka pasur një tjetër përplasje në stërvitje, këtë herë me mbrojtësin portugez Mario Rui.

Sjellja e këtij të fundit në stërvitje, nuk i ka pëlqyer trajnerit, që ka reaguar dhe e ka larguar nga fusha para kohe, një sinjal ky mjaft i qartë i tensionit të lartë që mbizotëron në skuadër vetëm pak ditë para ndeshjes me Bolognën në stadiumin “Diego Armando Maradona”.

Ky është ndëshkimi i dytë që trajneri Gennaro Gattuso jep për futbollistin portugez brenda një kohe të shkurtër, pasi edhe nëntorin e kaluar, sërish para ndeshjes me Bolognën, përjashtoi nga stërvitja si Mario Ruin, ashtu edhe Ghoulam.

Nuk dihet ende nëse trajneri do të grumbullojë mbrojtësin portugez për ndeshjen ndaj Bolognës, megjithatë situata në kampin napolitan duket mjaft e rënduar dhe i takon Gattusos të rikthejë menjëherë qetësinë, pasi “treni që të çon në zonën Champions, nuk pret më”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat