Së shpejti në FSHF me disa risi

Futboll

Së shpejti në FSHF me disa risi

Më: 6 mars 2021 Në ora: 17:13
Së shpejti në FSHF me disa risi

Rikthehet kursi për video-analistët e futbollit që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Kursi, që do të zhvillojë edicionin e tij të tretë, kësaj radhe paraqet risi të rëndësishme.

Bëhet fjalë për një kurs i cili do të zhvillohet si me prezencë fizike ashtu dhe online. Në këtë mënyrë, të gjithë shqiptarët, që janë të interesuar për t’u bërë video-analistë futbolli e që nuk ndodhen në Tiranë do të kenë mundësinë jo vetëm të ndjekin kursin online, por gjithashtu do të kenë akses te leksionet e regjistruara paraprakisht.

Puna e video-analistit është një profesion i ri në botën e futbollit, por që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm pasi bëhet fjalë për personin që mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për punën e skuadrës, të trajnerëve dhe të drejtuesve. Çdo staf teknik serioz ka nevojë për një figurë të tillë për të qenë në avantazh ndaj kundërshtarëve.

Për tetë ditë radhazi, gjatë muajit mars të këtij viti, ata që synojnë të bëhen video-analistë do të asistohen nga stafi i Federatës për të mësuar përdorimin e teknologjive te futbollit, studiuar teknikat e reja të analizave dhe të praktikohen me këtë profesion të ri. Ky kurs nuk i drejtohet vetëm atyre që synojnë të bëhen video-analistë, por të gjithë atyre personave që punojnë aktualisht në botën e futbollit dhe kanë dëshirë të thellohen në studimin e sportit më të bukur në botë.

Ky projekt i Departamentit të Analizës, Inovacionit dhe Skautizmit në FSHF ka filluar të marrë jetë sezonin e kaluar dhe tashmë është gati me kursin e tij të parë të hapur për të gjithë, madje me disa lehtësira për femrat dhe studentët. Të investosh në edukimin e analistëve do te thotë të investosh në të tashmen dhe në të ardhmen e futbollit shqiptar: falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por sidomos klubet do të kenë në dispozicion më shumë resurse dhe informacione për të marrë vendime të rëndësishme.

Për këtë arsye, në planet e ardhshme të FSHF është edhe përfshirja e rolit të video-analistit në të gjitha stafet e Kategorisë Superiore dhe në të gjitha ekipet kombëtare, si të meshkujve ashtu dhe të femrave.

Në faqen zyrtare të FSHF-së në internet si dhe në kanalet e tjera të federatës në rrjetet sociale do të publikohen së shpejti mënyrat e regjistrimit në këtë kurs cili do të zhvillohet nga stafi i Federatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat