Dovedan: Për 3 pikët me Teutën, jo më gola si kundër Tiranës

Futboll

Dovedan: Për 3 pikët me Teutën, jo më gola si kundër Tiranës

Më: 7 mars 2021 Në ora: 11:15
Dovedan: Për 3 pikët me Teutën, jo më gola si kundër Tiranës

Humbja me Tiranën është hedhur pas shpine nga ballshiotët. Bylisi është i përqendruar te sfida me Teutën, ndërsa trajneri Veljko Dovedan dhe skuadra kanë nisur që të enjten pasdreke përgatitjet për ndeshjen me durrsakët. Dovedan është mërzitur për nga mënyra se si është mundur skuadra e tij, ndërsa ai analizon takimin me bardheblutë dhe ndalet te sfida me Teutën.

“Pësuam golin e parë kur ne ishim në një moment të mirë, por edhe goli i dytë, kush e ka parë, e kupton që sërish atë gol e kemi pësuar se kemi gabuar ne. Rastet për shënim i kemi krijuar ne, madje deri te goli i parë që pësuam i cili erdhi nga një faull që më pas përfundoi në korne. Ishim superiorë në lojë dhe po përpiqeshim që të shënonim në portën e Tiranës. Nuk më vjen mirë që ne si skuadër luajmë mirë, prodhojmë futboll dhe pësojmë të tillë gola. Ndoshta edhe për faktin se skuadra ka shumë të rinj në gjirin e vet”, tha fillimisht Veljko Dovedan, trajneri i Bylisit.

TEUTA – Dovedan ndalet dhe flet për ndeshjen me Teutën. “E kam thënë për pozicionin që ne kemi, duhet të fitojmë çdo ndeshje, sidomos në fushën tonë. Teutën edhe vjet në Ballsh e kemi mundur. Edhe në fazën e parë ne kemi qenë më lart se kundërshtari, kështu që duhet që ta mundim edhe në këtë ndeshje.

Duhet të futemi në fushë e të jemi shumë të përqendruar, që te topi i parë e deri në vërshëllimën e fundit, kështu i fitojmë ndeshjet. Si është një ndeshje, një kundërshtar nuk është një tjetër. E rëndësishme është që ne në këtë fund kampionati kemi organikë, madje kemi lojtarë me eksperiencë apo edhe lojtarë të rinj që po bëjnë mirë edhe me U-21”, tha ndër të tjera trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan.

SYNIMI – Në fund, i pyetur se duke qenë se luan me një pretendente për titullin, a e kënaq barazimi, Dovedan ka pohuar se kjo është dytësore. “Do të luajmë për të fituar, këtë u kam thënë edhe djemve.

Nuk ka arsye, është një kampionat ku renditja lëviz, me dy ndeshje, kështu që ne duhet që të tregojmë vlera, dhe sidomos në fushën tonë. Bylisi nuk e meriton këtë pozitë, ndaj duhet që t’i mundim edhe këto skuadra e të tregojmë se ne jemi një ekip vërtet i mirë, që ka dëshirë të shfaqë vlera”, tha trajneri Veljko Dovedan, i cili prej tri sezonesh është në krye të pankinës së skuadrës mallakastriote.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat