Spanjë – Kosovë, analisti Arsim Prepolli komenton zhvillimet e fundit

Futboll

Spanjë – Kosovë, analisti Arsim Prepolli komenton zhvillimet e fundit

Më: 9 mars 2021 Në ora: 19:21
Arsim Prepolli

Referimi federatës spanjolle të futbollit për Kosovën si “territor” dhe jo si shtet si dhe artikulli i lëshuar nga gazeta e njohur spanjolle “Marca” ku thuhet se Kosova nuk do të paraqitet me simbole shtetërore në ndeshjen e 31 marsit në Sevilla, ka ngjallur reagime të shumta nga opinioni futbolldashës në Kosovë.

Analisti Arsim Prepolli, në një prononcim, ka deklaruar se duhet të pritet vendimi zyrtar rreth këtyre çështjeve si dhe rekomandimet e UEFA-së, por që sipas tij, për Kosovën është shumë ë rëndësishme që ndeshja po zhvillohet brenda territorit të Spanjës edhe pse ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Ende nuk është diçka përfundimtare sa i përket paraqitjes me apo pa simbole, prandaj unë them që duhet të presim vendimin përfundimtar si dhe rekomandimet dhe rregullat e UEFA-së, por për ne është shumë e rëndësishme që ndeshja do të zhvillohet brenda territorit të Spanjës.”, tha fillimisht Prepolli.

Tutje Prepolli duke folur, shtoi se Spanja provon t’i bëjë këto veprime për shkak të problemeve të brendshme që i ka me Kataloninë mirëpo ai thotë se nuk duhet të merremi me këto çështje.”

“Ata i kanë disa probleme të brendshme me Kataloninë, siç e dimë të gjithë, por ne si Kosovë nuk duhet të merremi me këto çështje. Pra, siç e thash, ata kanë pranuar që ne të luajmë në Spanjë, sepse edhe kjo ishte diskutuar në fillim, menjëherë pas hedhjes së shortit, por kjo ndeshje do të zhvillohet ndërmjet dy shteteve, Spanjës dhe Kosovës dhe bota e di se po ballafaqohen dy shtete.”, tha në fund Prepolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat