Hamsik rikthehet në Europë, firmos me klubin suedez

Futboll

Hamsik rikthehet në Europë, firmos me klubin suedez

Më: 9 mars 2021 Në ora: 19:42
Hamsik rikthehet në Europë, firmos me klubin suedez

Pas dy vitesh në kampionatin kinez me fanellën e Dalian Pro, ku luajti 45 ndeshje, shënoi 5 gola dhe dha 4 asiste, fantazisti sllovak Marek Hamsik është rikthyer sërish në Europë, për të firmosur me suedezët e Goteborg.

Prej ditësh ishte folur shumë për një rikthim të tij te Slovan Bratislava, skuadër që e lancoi në futbollin profesionist 17 vite më parë, por në mënyrë të befasishme Hamsik zgjodhi të firmosë me Goteborg deri në 31 gusht të këtij viti.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe gjithashtu i surprizuar nga mundësia që mu dha të bëhem pjesë e kësaj skuadre. Mezi pres të takoj shokët e skuadrës dhe të nis punën me ta. Kam një kontratë afatshkurtër, por do të jap shpirtin e trupin tim për fanellën e Goteborg”, u shpreh Hamsik.

Kampionati në Suedi pritet të startojë më 10 prill dhe Hamsik do të jetë një vlerë e shtuar për Goteborg, që edhe këtë sezon është pretendent për të ngritur lart titullin kampion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat