Shqipëria U-17 mbyll seleksionimin 3-ditor me fitore ndaj Teutës U-17

Futboll

Shqipëria U-17 mbyll seleksionimin 3-ditor me fitore ndaj Teutës U-17

Më: 10 mars 2021 Në ora: 14:24
Shqipëria U-17 mbyll seleksionimin 3-ditor me fitore ndaj Teutës U-17

Kombëtarja shqiptare e futbollit U-17 mbylli me një ndeshje miqësore kundër ekipit të Teutës U-17, seleksionimin treditor në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Ditën e sotme, nën urdhrat e trajnerit Bulku, kuqezinjtë arritën suksesin e parë për këtë vit duke fituar me rezultatin e thellë 7-2.

Tekniku Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kiri, Sulejmani, Gjergji, Koleci, Çelkupa, Syla, Xhafa, Zaganjori, Shtraza, Guci, ndërsa aktivizoi edhe pjesën tjetër të skuadrës përgjatë gjithë ndeshjes. Spikati sulmuesi Erjon Belulaj, i cili realizoi 2 gola, ndërsa rrugën e rrjetës e gjetën edhe Emanuel Guci, Ersi Zaganjori, Xhoele Tahiri dhe Elidon O’Boyle.

Pas përfundimit të ndeshjes, në një prononcim për Fshf.org, tekniku kuqezi u shpreh i lumtur për këtë fitore të parë dhe tha se duhet punuar ende, në mënyrë që të formohet grupi i gatshëm për eliminatoret e Europianit.

“Mund të them që ishte një seleksionim i vlefshëm, arritëm të shohim në aksion të gjithë lojtarët e vitlindjeve 2005-2006 që kishin mundësi të na bashkoheshin, pasi për shkak të pandemisë jemi përballur me shumë e vështirësi dhe jo të gjithë lojtarët që aktivizohen jashtë mundën të vinin. Sigurisht tani kam një ide më të qartë për potencialet që ka ky grup, ndërkohë që në muajt në vazhdim do të kemi edhe seleksionime të tjera.

Jam pjesërisht i kënaqur për nivelin e treguar nga lojtarët, pasi mendoj se kemi shumë punë për të bërë. I nxis lojtarët, por edhe stafet e klubeve që të punojnë edhe më shumë në mënyrë që të lojtarët të jenë në formën e tyre më të mirë kur të ftohen nga ekipet Kombëtare. Gjithsesi, kemi elementë cilësorë, por është rrugë e gjatë përpara për që ata të bëhen lojtarë të vlefshëm për ekipet e tjera Kombëtare të moshave”, – përfundoi Bulku.

Me këtë miqësore, ekipi kombëtar U-17 përfundoi edhe këtë seleksionim 3-ditor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat