Sipas 'El Confidencia': Ky është vendimi i fundit i Spanjës për Kosovë

Futboll

Sipas 'El Confidencia': Ky është vendimi i fundit i Spanjës për Kosovë

Më: 11 mars 2021 Në ora: 11:37
Sipas 'El Confidencia': Ky është vendimi i fundit i Spanjës për Kosovë

Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të shfaqë flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për “Katar 2022” që do të zhvillohet më 31 mars në stadiumin La Cartuja në Sevilla.

Ky është një hap vendimtar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila kryeson grupin evropian të përbërë nga vetëm pesë vende, refuzon ta njohë sovranitetin e territorit të Ballkanit.

Kështu e nis artikullin e saj gazeta e njohur digjitale spanjolle “El Confidencial”, raporton “Futbolli.info”. 

Tutje kjo gazetë shkruan se “përkundër faktit se Ministria e Jashtme thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën asnjë centimetër”, është e qartë se Spanja po i relakson vetot që mbajti fuqishëm deri në vitin 2019”.

Kjo gazetë tutje përmend faktin se në nëntor të vitit 2018 , Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi ta përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, derisa tani janë FIFA dhe UEFA që e rrëzojnë pozicionin spanjoll, duke detyruar që të gëlltisë shfaqjen e të gjitha simboleve kombëtare të Kosovës në Sevilla.

Tutje “El Confidencial” shkruan se edhe pse Spanja e kishte hapur derën për Kosovën në ngjarje të vogla, të tilla si Kupa Botërore e Hendbollit U21, të mbajtur vitin e kaluar në Galicia, kësaj here sovraniteti i Kosovës do të miratohet në një ndeshje futbolli midis ekipeve kombëtare dhe e cila do të bëjë jehonë nëpërmjet kamerave televizive kudo në botë.

“Ky qëndrim i Qeverisë spanjolle vjen pasi një cicërimë nga Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) çoi në një incident diplomatik. Të udhëhequr nga udhëzimet që Ministria e Jashtme u kishte vendosur atyre ditët e fundit, RFEF i referohej Kosovës si “një territor” në mediat sociale, një detaj që provokoi një reagim të menjëhershëm nga rivali i saj i ardhshëm në fushë”, shkruan tutje gazeta spanjolle, e cila më pas citon një pjesë të reagimit të FFK-së.

“Përpjekja e spanjollëve për të minimizuar shtetësinë e Kosovës, duke iu referuar Kosovës si një territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”.

“Kosovarët kërcënuan publikisht se nuk do të luanin ndeshjen nëse nuk do të lejoheshin të luanin me himnin, flamurin dhe uniformën e tyre kombëtare dhe këtë pasdite RFEF u dha dritën jeshile: Kosova do të jetë në gjendje të bëjë atë që nuk ka bërë kurrë më parë në Spanjë.

‘Për presidentin tonë dhe RFEF, ky vendim është i drejtë dhe konstruktiv. Ne jemi një shtet sovran dhe federata jonë është anëtare e FIFA-s dhe UEFA. Ne jemi të sigurt që do të kemi marrëdhënie të mira dhe ndeshje të mira. Thjesht është një ndeshje futbolli’, thonë nga Federata e Kosovës, shkruan tutje El Confidencial, e cila vë në pah ndryshimin e politikës spanjolle në raport me Kosovën në vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat