Munishi flet nga stadiumi i qytetit në Gjilan

Futboll

Munishi flet nga stadiumi i qytetit në Gjilan

Më: 13 mars 2021 Në ora: 12:33
Munishi flet nga stadiumi i qytetit në Gjilan

Ismet Munishi e ka nisur punën e tij si trajner te SC Gjilani. Tekniku njohur kosovar është prezantuar para futbollistëve këtë të shtunë (13 mars) nga presidenti i klubit Florim Zuka.

Munishi më pas zhvilloi edhe seancën e parë stërvitore para duelit të rëndësishëm në fundjavë ndaj Trepçës ’89, ndërkohë në një prononcim për Gazetën “Sheshi”, ai theksoi se objektivi për këtë takim dhe takimet tjera do të jetë vetëm fitorja.

“Në çdo ndeshje do luajmë për fitore. U prezantova dhe njoftova para futbollistëve për herë të parë. Punuam në pjesën taktike para ndeshjes ndaj Trepçës ’89 aq sa patëm mundësi”, deklaroi fillimisht Munishi.

Ai gjithashtu theksoi se ndjehet krenar që është duke trajnuar në një klub si Gjilani dhe disa futbollistë të cilët kanë karrierë të bujshme sportive.

“Mund të them që jam krenar që jam trajner i një klubi si Gjilani dhe që jam trajner i disa futbollistëve këtu, të cilët janë fantastik dhe kanë patur karrierë fantastike”, potencoi Munishi.

Ndër të tjerash ai zbuloi edhe objektiin madhor për vitin tjetër.

“Këtë vit synojmë të marrim më të mirën e mundshme, kurse vitin tjetër synojmë titullin kampion pa dyshim”, tha Munishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat