Ibra synon kthimin ndaj Manchester United

Futboll

Ibra synon kthimin ndaj Manchester United

Më: 13 mars 2021 Në ora: 12:52
Ibra synon kthimin ndaj Manchester United

Sapo janë fikur prozhektorët mbi të në Sanremo, por Zlatan Ibrahimovic dëshiron të kthehet në qendër të vëmendjes për meritat sportive. Asnjë dritë nuk shkëlqen më shumë se në “San Siro”, ndoshta në një natë të veçantë si ajo e kthimit europian kundër Manchester United. Herën e fundit në fushë interpretoi në “Olimpico”, më 21 shkurt. As një orë lojë dhe pastaj dalja me dhimbje për shkak të dëmtimit të muskulit të majtë të aduktorit.

Buletini mjekësor kishte treguar një rrugë precize: “Lojtari do të rivlerësohet me ekzamine instrumentale mbas rreth dhjetë ditësh”.

Provimi u bë dhe kaloi, kështu që Ibra kërkon nxitimin, që do ta kthejë atë në fushë për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Europës. Numrat e Milanit, me ose pa Zlatan, nuk janë aq të ndryshëm, përkundrazi. Sidoqoftë, ndjenja është që me Ibra në dispozicion, të gjithë, nga stafi te tifozët, do të ishin shumë më të relaksuar. Fakti mbetet që me suedezin në fushë Milani fitoi 56,35% të ndeshjeve. Me Manchester United, llogaritë mënjanë, sepse një fitore do të siguronte lavdinë dhe kalimin e raundit në kompeticionin europian.

Dje Ibra vazhdoi në punën e personalizuar dhe terapitë specifike. Nuk është aspak e qartë nëse do të kualifikohet për sfidën e dytë kundër anglezëve, por ky mbetet qëllimi madhor, që Zlatan i ka vendosur vetes. Dhe nëse “dështimi është pjesë e suksesit”, siç shpjegoi Ibra në monologun e tij në skenën e Ariston, shënimi i golit është gjithmonë përparësia e qendërsulmuesit.

Këtë sezon, Milani duhej të hiqte dorë nga Zlatan për gati gjysmën e ndeshjeve në kalendar: nga 40 gjithsej, 21 ndeshje me Ibra, 19 pa të. Në rastin e parë kishte 13 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje. Në rastin e dytë kishte 12 fitore, 6 barazime dhe vetëm 1 humbje. Por është në mbrëmje si ajo që Milani pret të enjten e ardhshme, kur do të jenë mysafirë “Djajtë e Kuq”, në të cilën lojtarët si Ibrahimovic vendosin peshën e numrave të tyre në peshore. Dhe Zlatan, në moshën 39 vjeç, në kampionatin aktual mbetet një sulmues i aftë të shënojë 14 gola në 14 ndeshje të luajtura në Serie A.

E njëjta mesatare në rrugën që e çoi Milanin në grupet e “Europa League”: një ndeshje – një gol. Por më pas, numërimi i golave ​​u ndal (pa gola midis grupit H dhe raundit të kaluar), ndaj rindezja e tij në një natë të veçantë do të ishte mënyra më e mirë për ta bërë atë. Do t’i jepte vrull gjithçkaje që rrotullohet: kontrata e re me Milanin, mundësia e kthimit në ekipin kombëtar për angazhimet e Suedisë në fund të muajit kundër Gjeorgjisë, Kosovës dhe Estonisë.

E vështirë, por jo e pamundur. Nga dje, Zlatan ka bekimin e një kampioni tjetër mbi 30 vjeç, Sergio Ramos (34): “Unë kam një vlerësim të veçantë për Ibrahimoviç, është një shembull për të gjithë. Futbolli ka nevojë për lojtarë më të mirë, mosha nuk është e rëndësishme. Nuk ka lojtarë të rinj apo të moshuar, të dobët dhe të fortë. Zlatan është absolutisht një kampion”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat