Duka është i mërzitur

Futboll

Duka është i mërzitur

Më: 14 mars 2021 Në ora: 11:55
Duka është i mërzitur

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të katër ish-futbollistëve të njohur të Erzenit. Legjenda Sabri Peqini, Enver Drita, Hysen Varosi dhe Lulzim Alia, të cilët janë ndarë sot nga jeta, janë personalitete që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar, por edhe klubit shijakas për vite me radhë si futbollistë apo edhe trajnerë.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Presidenti Duka shkruan se kjo ishte një humbje e madhe, teksa vlerëson kontributin që Peqini, Drita, Varosi dhe Alia kanë dhënë për sportin shqiptar dhe thekson se ata do të mbeten të paharrueshëm për sportdashësit shijakas në veçanti.

“Kjo e shtunë e 13 marsit na solli kaq shumë lajme të kobshme njëherësh në një koincidencë tragjike. Katër ish-futbollistë të njohur Erzenit janë ndarë sot nga jeta, që të katërt personalitete të padiskutueshme, që kanë bërë histori e që do të mbahen mend gjatë nga sportdashësit shijakas.

Legjenda Sabri Peqini u nda sot nga jeta në moshën 94-vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Ai e nisi karrierën e tij me klubin e Erzenit për t’i ngjitur shkallët e suksesit me shpejtësi e për t’u shpallur më pas disa herë kampion me Dinamon e viteve ‘50. Gjithashtu, Peqini luajti edhe me Kombëtaren shqiptare e më vonë do jepte kontributin e tij si trajner. Një figurë e padiskutueshme e futbollit shqiptar e një mik i mirë, që do të na mungojë shumë të gjithëve!

Enver Drita, një tjetër ish-futbollist i Erzenit u largua nga kjo jetë në moshën 85-vjeçare, por sportdashësve shijakase u ka lënë kujtime e mbresa mjaft të bukura me paraqitjet e tij në fushë. Përveçse një futbollisti virtuoz, ai është pjesë e historisë edhe për faktin se është një nga lojtarët më “fair-play” të futbollit shqiptar. Enveri ishte njeri që mbartte vetëm energji pozitive dhe një sportist model në fushë e jashtë saj.

Jo më pak i rëndësishëm për Erzenin ka qenë edhe Hysen Varosi, i cili u largua nga kjo jetë po sot në moshën 82-vjeçare. Ish-portieri, pjesë e një brezi të veçantë e që më pas do të vazhdonte karrierën si komentator e gazetar sportiv, por gjithnjë duke dhënë kontributin e tij plot pasion për sportin në Shijak. I katërti që u nda sot nga jeta ishte Lulzim Alia në moshën 75-vjeçare. Ai luajti për shumë vite futboll me Erzenin, por la më shumë gjurmë si trajner, duke u shndërruar në një personalitet mjaft të dashur për sportdashësit shijakas. Alia ka drejtuar ekipin e futbollit Erzeni për vite me radhë, duke nxjerrë breza të tërë futbollistësh.

Përveçse një humbje për futbollin shqiptar dhe atij shijakas, është edhe një humbje personale, sepse ata ishin të katër miq të familjes time, me të cilët kemi ndarë momente mjaft të bukura ndër vite.

Dua t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Peqini, Varosi, Drita dhe Alia! I paharruar qoftë kujtimi i tyre!”, – shkruan Presidenti i FSHF-së, Duka në reagimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat