“Luftë e ftohtë”, Ministria i bllokon statutin FSHF-së

Futboll

“Luftë e ftohtë”, Ministria i bllokon statutin FSHF-së

Më: 17 mars 2021 Në ora: 11:02
“Luftë e ftohtë”, Ministria i bllokon statutin FSHF-së

Më 18 dhjetor 2020, në asamblenë e zhvilluar online, FSHF ndryshoi statutin e saj organizativ.

Mirëpo, ndryshimet e bëra në të, miratuar me 56 vota dhe vetëm një abstenim, janë aktualisht shkak për një tjetër “betejë” që vendos FSHF-në dhe qeverinë aktuale në dy kahe të kundërt. Momentalisht, ndryshimet në statut, janë bërë mjet “pingpongu” juridik mes dy institucioneve.

MIRATIMI

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk e ka miratuar statutin e ri të FSHF-së, ndryshimet e fundit të të cilit janë bërë më 18 dhjetor. “Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht se institucioni i futbollit ka dërguar për miratim vendimet e asamblesë online, mirëpo sektori përkatës në ministrinë e linjës e ka kthyer me disa shënime këtë vendim. Duke mos u pajtuar me qëndrimin e ministrisë, gazeta mëson edhe se FSHF ka përgatitur një përgjigje për t’ia rinisur edhe një herë tjetër qeverisë dhe ministrisë përkatëse për miratim këtë statut.

Nga sa mësohet, FSHF ka argumentuar edhe juridikisht pjesën që sipas saj ministria nuk ka tagrin për të ndërtuar, formuluar dhe bërë një statut për një nga federatat që ushtron aktivitet në vendin tonë.

PRITJA

Nga sa pretendohet, Ministria ka të drejtën e saj që brenda një afati kohor prej 60 ditësh, të mund të kalojë për miratim këtë dokument të ri të një federate. Ky afat, nga hera e dytë që FSHF ia ka dërguar ministrisë për miratim, ka kaluar dhe ende në FSHF nuk ka mbërritur as miratimi i statutit dhe as përgjigje për pretendimet e FSHF-së. Deri më tani, fakt është që statuti i ri i FSHF-së me ndryshimet e pësuara në asamblenë online të datës 18 dhjetor, është bllokuar nga ministria dhe nuk ka ende një miratim apo arsyetim për së dyti për mos aprovimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat