Lewandowski zbulon idhujt e fëmijërisë

Futboll

Lewandowski zbulon idhujt e fëmijërisë

Më: 18 mars 2021 Në ora: 11:30
Lewandowski zbulon idhujt e fëmijërisë

Ylli i Bayern Munich, Robert Lewandowski, ka një listë të gjatë të yjeve të futbollit të së kaluarës dhe të tashmes, të cilët i admiron; por nuk mund të zgjedhë më të mirin e të gjitha kohërave. 

Vetë polaku tani ka një pretendim të fortë për t’u konsideruar në të njëjtën frymë si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, pasi vazhdon të shënojë gola me një rregullsi të jashtëzakonshme për kampionët në fuqi të Gjermanisë dhe Europës.

Modeli i tij i parë në futboll ishte një legjendë italiane e së kaluarës, ndërsa ish-asi i Arsenalit dhe Francës, Thierry Henry, gjithashtu pati një ndikim të madh te polaku, kur ishte i ri. Duke folur me Lothar Matthaus në një intervistë për “Bild”, Lewandowski nuk emëroi dot vetëm një lojtar të denjë për të mbajtur titullin e më të mirit ndonjëherë.

“Nuk ka një lojtar të vetëm, që mund të veçohet. Lojtarët formojnë epoka. Dikur ishe ti, – i tha idhullit të Bayernit dhe Gjermanisë, fituesit të Kupës së Botës 1990. – Në 10, 15 vitet e fundit kanë qenë në majë Messi, Ronaldo, Ronaldinho. Më parë, sulmuesi brazilian, Ronaldo. Ka gjithmonë talente të jashtëzakonshme, lojtarë që thjesht përcjellin kënaqësi në futboll. Yjet botërorë arrijnë t’i bëjnë gjërat e vështira të duken të lehta dhe të thjeshta”.

Mbi idhujt e fëmijërisë, Lewandowski zbuloi: “Më kujtohet saktësisht. Kur isha 6 vjeç, kishte vetëm një idhull për mua: Roberto Baggio! Më vonë, Alessandro Del Piero u bë modeli im në futboll, e admirova atë.

Sidoqoftë, nuk mund të gjykoja akoma saktësisht se çfarë e karakterizonte stilin e tij të lojës, isha thjesht shumë i ri për këtë. Më vonë u bë legjenda e Arsenalit, Thierry Henry. Lëvizjet e tij, vrapimet nga thellësia, finalizimet… Si një futbollist i ri, këto ishin cilësitë që doja të kisha. Unë doja të imitoja Henry në gjithçka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat