Kaos me grumbullimet e futbollistëve

Futboll

Kaos me grumbullimet e futbollistëve

Më: 20 mars 2021 Në ora: 11:09
Kaos me grumbullimet e futbollistëve

Kur jemi vetëm dy ditë larg nisjes së grumbullimit të përfaqësueseve në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës Katar 2022, situata duket vërtetë kaotike, për shkak të gjendjes shqetësuese të pandemisë.

Kështu shumë trajnerë kanë publikuar lista të zgjeruara futbollistësh për t’u paraprirë mungesave për shkak të koronavirusit, ndërsa ka edhe nga ato federata që po përplasen me klubet për lejimin e futbollistëve.

Në Milano për shembull, zyra shëndetësore ka bllokuar udhëtimin e futbollistëve të Interit, duke qenë se për tre ditë radhazi u konstatuan lojtarë të prekur nga koronavirusi dhe zikaltrit janë futur në karantinë deri të dielën në mbrëmje.

Belgjika po bën të gjitha përpjekjet për të pasur Romelu Lukakun nga e hëna, ndërsa Mancini pret italianët zikaltër në grumbullim gjithashtu në fillim të javës, ashtu si edhe vende të tjera europiane.

Megjithatë vendimi i zyrës shëndetësore për të bllokuar udhëtimin e tyre, e ka bërë shumë të komplikuar situatën, pasi tani nuk mjafton vetëm miratimi i klubit zikaltër, por edhe i autoriteteve shëndetësore.

Në një situatë mjaft të komplikuar është edhe përfaqësuesja e Polonisë, që do të përballet me Anglinë në eliminatoret e Botërorit. Kjo pasi Bayerni i Mynihut nuk dëshiron të lejojë sulmuesin Robert Lewandowski të udhëtojë drejt Londrës, ndërsa situata është e njëjtë edhe me dy sulmuesit e tjerë, Piatek i Herthës së Berlinit dhe Milik i Marseille.

Federata polake po bën maksimumin për të vënë në dispozicion të trajnerit tre sulmuesit e njohur dhe vijojnë negociatat mes palëve, por karantinimi i detyruar dy javor pas kthimit nga Anglia ka bërë që përveç lejes së subjekteve sportive, të vijë edhe një tjetër nga autoritetet që menaxhojnë situatën shëndetësore.

Në mungesë të një lejeje të tillë, klubi i Bayernit të Mynihut ka vendosur të mos lejojë asnjë futbollist t’i bashkohet përfaqësueses përkatëse, nëse kjo e fundit do të jetë e detyruar të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe.

Përveç eliminatoreve, kaos ka edhe me Kupën e Afrikës, pasi të 40 klubet e Ligës së Parë dhe të dytë në Francë kanë votuar unanimisht për të bllokuar udhëtimin e futbollistëve të tyre jashtë vendeve të Bashkimit Europian.

Përveç klubeve franceze, edhe në Itali, Angli, Spanjë e gjermani po bëjnë përpjekje për të bindur lojtarët e tyre të mos u përgjigjen thirrjeve të përfaqësueseve përkatëse, duke komplikuar jo pak mbarëvajtjen e këtij kompeticioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat