Presioni

Futboll

Presioni

Më: 20 mars 2021 Në ora: 12:47
Presioni

Pas kualifikimit për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia e trajnerit Thomas Brdariç kërkon të rikthehet tek suksesi në Superiore, ku pengesa që duhet kaluar është Kastrioti.

Drejtuesit e klubit kanë vendosur që të gjobitin skuadrën dhe vetë trajnerin për mungesë rezultatesh, por sidoqoftë një gjë e tillë nuk shqetëson askënd në kampin kuqeblu pasi të gjithë duan të japin më të mirën për ekipin, diçka që e konfirmon dhe vetë tekniku në konferencën për shtyp përpara sfidës.

“Gjëja më e mirë është ta mbyllim atë çështje dhe të mos e marrim në aspektin personal. Nuk duhet të fokusohemi aspak tek ajo çështje. Duhet që të gjithë të përqendrohemi maksimalisht në fushën e blertë. Duhet tu tregojmë të gjithëve se jemi të përkushtuar plotësisht për ta kapërcyer këtë moment delikat që po kalojmë. Duhet të tregojmë forcë dhe përkushtim”, u shpreh timonieri gjerman.

Thomas Brdariç pranoi se gjendja fizike e skuadrës është mjaft e mirë, por theksoi se presioni është shumë i madh dhe duhet menaxhuar mirë që të mos lërë pasoja.

“Çështja është se ekipi mund të gëzojë formë të mirë fizike, por i gjithë ky presion në mënyrë të pashmangshme ka ndikim e vet tek skuadra. Ne duhet të pyesim veten se ku ndodhemi për momentin dhe duhet të flasim me lojtarët. Duhet te jemi të hapur me njëri-tjetrin dhe të flasin në mënyrë pozitive”, deklaroi tekniku gjerman.

Ndonëse kryesoi për javë të tëra dhe u shkëput me 9 pikë nga ndjekësja më e afërt, Vllaznia dorëzoi kreun javën e kaluar, megjithatë trajneri Brdaric shprehet optimist se skuadra do të garojë sërish për titullin kampion.

“Jemi ende të motivuar. Kemi siguruar gjysmëfinalen e Kupës dhe gjithashtu në kampionat jemi ende në garë. Kjo na motivon edhe më shumë për të dhënë më të mirën”, u shpreh Brdariç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat