Martini: Partizani le të luajë mirë

Futboll

Martini: Partizani le të luajë mirë

Më: 20 mars 2021 Në ora: 15:20
Martini: Partizani le të luajë mirë

Një “finale” mund të konsiderohet ajo e ditës së nesërme, mes Teutës dhe Partizanit. Fakti që dy skuadrat ndodhen në kuotë të barabartë pikësh për momentin, nga 42 të tilla, ambiciet maksimaliste për titullin, por edhe detaje të tjera e bëjnë “Niko Dovana” epiqendrën e javës së 25-të të Superiores. Edi Martini, duke folur në konferencë për shtyp në prag të duelit me “demat e kuq”, nënvizoi mes të tjerash:

 “Partizan i lodhur? Këto janë ndeshje shumë të rëndësishme. Ato 30 minutat e kohës shtesë, kur i sheh nga jashtë qëndrojnë, por motivimi i skuadrave i bën të padukshme. Gjithsesi, ne vijmë nga një kualifikim në kupë me Kukësin, që na dha moral, kurse Partizani pas eliminimit e Laçin. Primar është kampionati për të dyja skuadrat, sepse jemi në garë për titullin. E dimë çfarë ndeshjeje na pret, sikurse ndodh përherë mes skuadrave rivale. Përqendrimi është në maksimum për këtë ndeshje, shpresoj të dalim mirë.

Sulmi deciziv? Jam me filozofinë që sulmi, mbrojtja dhe mesfusha janë një. Në futbollin e sotëm sulmohet dhe mbrohet me çdo lojtar. Te Teuta ka detyrë të shënojë kushdo. Llogarisim edhe goditjet standarde, janë edhe mesfushorët në lojë. Me rëndësi është të fitojë skuadra. Ata që luajnë në sulm të punojnë për grupin në të dyja fazat. Shpresojmë që kështu të fitojmë nesër.

Loja apo rezultati? Preferoj të luaj keq si me Kukësin dhe Partizani të luajë mirë si me Laçin; në fund të fitojmë ne. Ekipet e renditura poshtë u kanë marrë pikë edhe rivalëve tanë, mos harroni se Kastrioti ka ndalur edhe Laçin e Partizanin. Edhe Bylisi u ka marrë pikë në Ballsh të tjerëve. Nuk është se kemi bërë vetëm ne hapa fals.

Megjithatë, me Kastriotin gabuam. E nënvlerësuam kundërshtarin dhe menduam për kupën e ndeshjet e tjera të kampionatit kundër rivalëve kryesorë. Nuk ka ekipe të dobëta e të forta, diferencat janë të vogla, ndaj duhet përqendrim. Tri pikët të çojnë përpara, pavarësisht kundërshtarit që ia merr”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat