Vllaznia dhe Kukësi presin kthesën

Futboll

Vllaznia dhe Kukësi presin kthesën

Më: 21 mars 2021 Në ora: 11:33
Vllaznia dhe Kukësi presin kthesën

Java e 25 e Kategorisë Superiore luhet e gjitha ditën e sotme. Një nga takimet që spikat më së shumti është sfida mes Partizanit dhe Teutës.

Djemtë e Detit dhe të kuqtë janë në të njëjtën kuotë pikësh, 42, ndërsa pretendojnë titullin në këtë sezon. Kjo do të jetë përplasja e tretë e ekipve për këtë sezon, teksa dy të parat kanë përfunduar në barazim 0-0 dhe 1-1. Ndaj, edhe ky takim pritet të ketë një luftë të lartë sportive.

Ndërkohë, Laçi zbret për herë të parë në fushë si kryesues i kampionatit teksa pret në shtëpi Tiranën. Kurbinasit po provojnë në këtë sezon të arrijnë për herë të parë te titulli kampion, ndërsa nga ana tjetër, bardheblutë pas disfatës në derbi duhet të kthehen te pikët për të qenë edhe pranë zonës së Kupave të Europës.

Ndërkaq, Vllaznia pret të bëjë rikthimin në kampionat pas situatës së fundit të krijuar me trajnerin Tomas Bërdariç, teksa luan në transfertë ndaj Kastriotit, me krutanët që mbeten një “kockë e fortë”.

Sakaq, një duel direkt për mbijetesën është ai mes Apolonisë dhe Skënderbeut.

Aktualisht, fierakët janë një pikë para korçarëve, në vendin e parafundit dhe një trepikësh do të bënte që ekipi të fitonte më shumë siguri për të tentuar vendin e tetë. Gjithsesi, juglindorët në ndeshjet e fundit kanë treguar shenja jete dhe se nuk do të dorëzohen deri jë fund. Sfida tjetër e ditës së sotme është ajo mes Bylis dhe Kukësit.

Ballshiotët pas triumfit të fundit me Vllazninë do të kërkojnë sërish maksimumin në shtëpi, për të siguruar mbijetesën. Ndërkaq, nga ana tjetër, verilindorët mbeten në kërkim të kthesës së madhe, pasi tashmë duke qenë të eliminuar nga Kupa, rruga e vetme për një vend në Kupë është nga kampionati dhe pikët janë të domosdoshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat