Laçi pret Tiranën, fitorja e mban në krye të renditjes

Futboll

Laçi pret Tiranën, fitorja e mban në krye të renditjes

Më: 21 mars 2021 Në ora: 11:50
Laçi pret Tiranën, fitorja e mban në krye të renditjes

Java e 25-të e Kategorisë Superiore do të luhet e gjitha ditën e sotme, me 4 sfida të programuara për në orën 13:00 dhe një tjetër në orën 16:00, ndërsa më pas skuadrat do të marrin dy javë pushime, për t’u lënë vendin eliminatoreve të përfaqësueseve.

Por cilat janë 5 sfidat që do të ndezin ekranin e Supersport gjatë ditës së sotme, duke startuar që në orën 12:00 mne emisionin “Gol pas Goli” e për të vijuar deri në orën 19:00 të mbrëmjes….

Laçi-Tirana mund të jetë edhe një përballje mes kampionit të ri dhe kampiones në ikje, pasi thuajse i sigurt është fakti që bardheblutë nuk do të jenë më në fron, ndërsa a do ta fitojë apo jo titulli Laçi kjo është ende për t’u mësuar dhe përshtypja është që gjithçka do të zgjidhet vetëm në titrat e fundit të këtij edicioni.

Bardhezinjtë vijnë nga një kualifikim në Kupë që erdhi mes polemikave përballë Partizanit. Seria e rezultateve është tej mase e mirë për kurbinasit. 11 ndeshje pa humbje mes kampionatit dhe Kupës dhe 7 fitore e 2 barazime në 9 ndeshjet e fundit në kampionat kane bërë që për herë të parë në këtë sezon, Laçi ta nisë një javë kampionati në kreun e renditjes.

Trajneri Shpëtim Duro nuk ka probleme me pezullimet, në një kohë që duhet vlerësuar gjendja e Nwabuezes, i cili u rikthye në Kupë pas pezullimit, por pati një çfrikë për një shqetësim në fillim të ndeshjes. I gatshëm do të jetë edhe heroi i Kupës, Alen Sherri që pësoi një çarje në kokë teksa po festonin në fushë kualifikimin në gjysmëfinale.

E sigurt është mungesa e Turkaj-t që i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ndërkohë Tirana vjen nga një humbje në derbi që ka ndikuar në aspektin moral. Treni i fundit i titullit kaloi me atë humbje ndaj Partizanit dhe tashmë objektivi është i ridimensionuar zyrtarisht. Bardheblutë duhet të luftojnë fort për një vend në Europë, jo thjesht për prestigj, por mbi të gjitha për përfitimet financiare qe sjell në klub.

Do te jetë shumë e vështirë për 25 herë kampionët, por nëse nuk triumfojnë në Laç, atëherë nga shumë e vështirë ka gjasa që objektivi Europë të konsiderohet i pamundur për Tiranën dhe sezoni të zinte vend në dhomën e zhgënjimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat