Vllaznia dhe Skënderbeu triumfojnë në fund

Futboll

Vllaznia dhe Skënderbeu triumfojnë në fund

Më: 21 mars 2021 Në ora: 15:11
Vllaznia dhe Skënderbeu triumfojnë në fund

Ashtu siç e kishin premtuar, shkodranët e Vllaznisë ia dolën të rikthehen te fitorja në kampionat dhe e bënë këtë në një transfertë mjaft të vështirë si ajo ndaj Kastriotit në Kamëz.

Një gol i vlonjatit Ardit Hoxhaj në minutat shtesë bëri që kuqeblutë të marrin tre pikët në Kamëz dhe të rimarrin kreun e renditjes, të cilin e kishin dorëzuar fundjavën e kaluar.

Vllaznia e nisi më mirë sfidën dhe dha shkëndijën e parë që në minutën e katërt të takimit. Pas një goditjeje dënimi për shkodranët, topi largohet nga zona dhe shkon në këmbët e Krujës, që gjuan menjëherë ashtu siç bëri ndaj Korabit në Kupë, por këtë herë sfera nuk iu bind dhe përfundoi jashtë kuadratit.

Kastrioti rreshtohet mirë mbrapa dhe provon të dalë në kundërsulm, teksa në minutën e 13’ Rezi vertikalizon për Da Silvën që fiton duelin e shpejtësisë me Adilin dhe gjuan në pozicion të prirët me portën, por topi shkon pa probleme në duart e Zogovic. Protestojnë krutanët për një penallti, por nuk ka këtë mendim arbitri Laver Alla, që e cilëson të rregullt ndërhyrjen e Adilit ndaj sulmuesit brazilian.

Shkodranët kanë mundësinë më të mirë për të shënuar në minutën e 37’. Demir Imeri lëviz mirë mbi vijën e zonës dhe kombinon me Dilaver, i cili shërben për Hoxhajn që ishte i vetëm me portierin, por vlonjati vonoi në gjuajtje dhe pa t’i bllokohej goditja nga mbrojtja krutane, duke fituar vetëm një këndore.

Pikërisht pas ekzekutimit të saj, krutanët u nisën në një kundërsulm të shpejtë me tre futbollistë, kundrejt kundrejt kapitenit të Vllaznisë, Gurishta. Dejvid shërbeu menjëherë për bardhin, që në pozicion të prirët me portën gjuajti, por portieri Zogovic ndali topin në dy kohë.

Tentativën e fundit për 45 minutat e para e dha mesfushori Xhulio mehmeti, që lëshoi një goditje të bukur nga distanca, por topi përfundoi jashtë kuadratit, ngjitur me shtyllën pingule, duke bërë që skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0.

Pjesa e dytë nisi me një luftë të fortë në mesin e fushës, ndërsa shkëndijën e parë e dha vlonjati Ardit Hoxhaj në minutën e 60’. Pas një kombinimi të bukur të shkodranëve, topi shkoi te Hoxhaj, i cili e mori mirë dhe lëshoi një të djathtë të fortë nga distanca, por goditja e tij ishte e pasaktë dhe sfera shkoi jashtë kuadratit.

Reagon menjëherë Kastrioti, që del në një sulm të shpejtë dhe Rezi lëshon një gjuajtje të shpejtë në portë, por Zogovic grushton dhe më pas është Adili që largon rrezikun nga prapavija e shkodranëve.

Tjetër mundësi e artë për Ardit Hoxhajn, që “flirton” sërish me golin, por topi nuk i bindet. Pas një këndoreje, Adili hedh topin në zonë dhe Shehi shërben me kokë për Hoxhajn, i cili gjuan po me kokë, por me Hidin të mposhtur, topi shkon ngjitur me shtyllën.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit pa gola, ishte vlonjati Ardit Hoxhaj ai që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për shkodranët. Kruja hodhi një krosim nga këndorja dhe vlonjati u harrua në zonë, aty ku kërceu saktë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Hidit.

Festë në kampin shkodran dhe tension te vendasit, që nuk e kapërdinë këtë gol në shtesë dhe provuan të rikthejnë baraspeshën në minutat e mbetura, por nuk ia dolën dhe u detyruan të dalin kok-ulur nga fusha.

Fitore mjaft e rëndësishme për shkodranët, që duke përfituar nga humbja e laçit në shtëpi ndaj Tiranës, rikthehen në krye të renditjes pas vetëm një jave lëshimi dhe njëkohësisht marrin një avantazh të rëndësishëm psikologjik.

Bardheblutë e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe pas një kërcënimi me Toshevskin, i shkuan shumë pranë golit me anë të Torasës, por portieri Sherri grushtoi në mënyrë spektakolare, ndërsa më pas ishte Obanor që bllokoi goditjen e Halilit.

Goli i avantazhit ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 24-t, kur pas një gabimi të Deliut në zonë, ishte mesfushori bardheblu Jurgen Çelhaka ai që përfitoi e gjuajti menjëherë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Sherrit.

Reagimi i kurbinasve ishte i vakët dhe aspak shqetësues për bardheblutë, por goli i barazimit erdhi në minuëtn e 40’ pas një këndoreje të ekzekutuar në mënyrë perfekte nga veterani i Laçit, Mentor Mazrekaj, që dërgoi topin drejt e në rrjetën e portës së Ilion Likës.

Pjesa e dytë zhvillohet gjithashtu me ritëm të lartë nga të dy skuadrat dhe pas disa mundësive të shpërdoruara nga Laçi, është mbrojtësi i majtë i bardhebluve, Marsel Ismailgeci, që mposht për herë të dytë Alen Sherrin, me një gjuajtje të hidhur me të majtën nga brenda zonës.

Laçi provon të rikthejë baraspeshën, por tentativat e kurbinasve ndalen nga Ilion Lika, që shlyen kështu gabimin në rastin e golit të parë të pësuar dhe u jep tre pikët bardhebluve, që tani janë shumë pranë zonës europiane të renditjes.

Mallakastriotët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe kaluan në avantazh që në minutën e 14’ me anë të Edison Ndrecës. Pikërisht anësori mirditor ishte protagonist në pjesën e parë, pasi në sekondat e fundit të kohës së rregullt shënoi edhe golin e dytë për Bylisin.

Pushimi duket se u bëri mirë verilindorëve, që e nisën pjesën e dytë menjëherë në sulm dhe rihapën takimin në minutën e 53-të me golin e shënuar nga mbrojtësi Kurdiç, që ia doli të mposhtë portierin e Bylisit.

Megjithatë mallakastriotët ia dolën të ruajnë avantazhin deri në fund, duke marrë një tjetër 3-pikësh që ua sjell edhe më pranë mbijetesën, ndërsa Kukësi duket se dorëzohet nga gara për një vend në zonën europiane.

Merr një 3-pikësh shprese edhe Skënderbeu, që ia doli të triumfojë me rezultatin 1-2 në “Loni Papuçiu” të Fierit, përballë një rivali direkt për mbijetesën si Apolonia. Sadriu kaloi në avantazh korçarët në pjesën e parë, ndërsa vendasit barazuan me Mihanën në minutën e 60’.

Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, Skënderbeu fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Jorgo Meksi, duke u dhënë korçarëve një 3-pikësh të artë, që mban gjallë shpresat për mbijetesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat