Ja si pritet rreshtimi i Shqipërisë

Futboll

Ja si pritet rreshtimi i Shqipërisë

Më: 24 mars 2021 Në ora: 11:19
Ja si pritet rreshtimi i Shqipërisë

Edi Reja dje ka punuar me 28 futbollistë. Të gjithë! Kuqezinjtë kanë qenë të gjithë në dispozicion të trajnerit, ku është punuar në fushë për një formacion të mundshëm ndaj Andorrës. Provat kanë qenë të shumta, duke qenë se edhe koha është e pamjaftueshme për të përgatitur siç duhet gjithçka. “Panorama Sport”, ka mësuar disa nga provat që ka hedhur në fushë italiani gjatë stërvitjes së djeshme.

PROVAT – Sulmuesit për fat janë të gjithë në formë. Mirëpo, Edi Reja duhet që të bëjë edhe menaxhimin forcave, kur për 6 ditë do të luhen 3 ndeshje. Asnjë njoftim për lojtarët se cila do të jetë 11-shja ndaj Andorrës, por vetëm disa prova në fushë.

Për sulmin, duket se Reja ka testuar skemën me 3 bomberët Cikalleshi dhe Manaj e Uzuni.

Ky i fundit duket se “zbut” trajnerin dhe imponohet me formën. Nën rreshtimin 3-4-3, prova ka vijuar me dyshen Bare-Gjasula në qendër të mesfushës dhe në fashat anësore janë provuar fillimisht Hysaj dhe Lenjani. Në prapavijë, treshja që blindon repartin përbëhet nga Gjimshiti, Ismajli dhe Kumbulla. Porta, në skuadrën e “titullarëve”, ka qenë Strakosha, mirëpo shpesh është theksuar se cilido prej gardianëve që të luajë, Shqipëria është e sigurt.

DILEMAT – Ajo që e vështirëson këtë herë gjetjen e formacionit, është fakti se trajneri ka detyrimin për fitore ndaj Andorrës, por ka lojtarë që vijnë me pak minuta dhe nga dëmtimet si në rastin e Gjasulës dhe Memushajt.

Kësisoj, nuk përjashtohet që Shqipëria në Andorrë të jetë edhe me variantin tradicional së fundmi, 3-5-2, ku Memushaj merr një vend në treshen e mesfushës. Për këtë, balotazhi kalon mes Uzunit dhe Lenjanit, se cili luan në fashën e majtë.

ALTERNATIVAT – Janë me bollëk në çdo rol. Për mesfushën, trajneri ka në dispozicion talentin Kallaku, por edhe risinë Nedim Bajrami. Gjithashtu, Ramadani, Çokaj dhe Laçi janë në dispozicion. Për sulmin, Broja e Kamberi presin në gatishmëri. Referuar prapavijës, Doka e Roshi janë “raketat” alternativë për të djathtën, ndërsa në të majtë risia Mitaj, apo edhe Memolla e Veseli që mund të luajnë në linjë. Për prapavijën, Veseli e Ajeti së bashku me Hoxhallarin, mbeten në pritje të një shansi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat