Shqipëria sfidon kombëtaren më të shtrenjtë në Europë

Futboll

Shqipëria sfidon kombëtaren më të shtrenjtë në Europë

Më: 25 mars 2021 Në ora: 17:16
Shqipëria sfidon kombëtaren më të shtrenjtë në Europë

Anglia nuk ka lojtarin më të vlefshëm, siç krenohet Franca me Mbappé (180 milionë euro), por ka kombëtaren më të shtrenjtë në kontinent. 25 lojtarët, që Gareth Southgate ka grumbulluar për tri ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2022, ndër të cilat ajo me kuqezinjtë tanë, më 28 mars në “Arena Kombëtare”, kushtojnë, sipas faqes së specializuar të internetit “Transfermarkt”, më shumë se 1.070 milionë euro. Një ekip, gjithashtu i blinduar në të gjitha repartet, që konsiderohet një nga favoritët kryesorë për të fituar Kampionatin Europian këtë verë, sigurisht edhe Kupën e Botës vitin e ardhshëm, shkruan telesport.

Nisur nga mosha dhe talenti, ndër emrat më të vlefshëm të “Tre Luanëve” janë Harry Kane (120 milionë euro), Sterling (100 milionë) dhe Rashford (85 milionë).

Fjala vjen, Jadon Sancho (100 milionë) nuk ka qenë në gjendje të grumbullohet kësaj here për shkak të dëmtimit dhe Alexander-Arnold (100 milionë) është lënë jashtë me vendim teknik. Yje në sulm dhe mesfushë, ku Foden (70 milionë euro), Mount (60 milionë), Saka (60 milionë) dhe Rajs (60 milionë) kombinojnë cilësinë e provuar në skuadrat e tyre. Mosha e të katërve është vetëm 21 vjeç.

Nuk mund të harrojmë edhe mesfushorin e Dortmundit, Bellingham, i cili në moshën vetëm 17 vjeç vlerësohet tashmë 35 milionë euro.

Problemet për Anglinë fillojnë, megjithatë, prapa dhe në stol. Përtej dyshimeve, nëse Southgate është ai që menaxhon atë që duket të jetë një nga gjeneratat më të mira në historinë e futbollit anglez, kjo kombëtare nuk posedon mbrojtjen në nivelin më të lartë. As Maguire (40 milionë), për të cilin Manchester United pagoi pothuajse 90 milionë euro dy sezone më parë, as Alexander-Arnold dhe as Stones (30 milionë) nuk po japin nivelin që pritej prej tyre dy vite më parë. Pickford, ai që dukej sikur do të ishte portieri fillestar i “Tre Luanëve”, nuk është thirrur fare. Dean Henderson (20 milionë) duket “basti” tjetër i madh për të ardhmen, nëse Pope (15 milionë) nuk mendon ndryshe.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat