Lala tregon yllin e madh te Shqipëria

Futboll

Lala tregon yllin e madh te Shqipëria

Më: 27 mars 2021 Në ora: 11:26
Lala tregon yllin e madh te Shqipëria

Shqipëria do të fitonte në shifrat 0-1 kundër Andorrës, por sërish kritikat nuk morën fund. Këtë herë opinionistët sportiv kanë pasur shumë rezerva për lojën e ndërtuar nga Kombëtarja. Megjithëse nga ana tjetër kuqezinjtë kanë nevojë për mbështetje të madhe që të përballojnë psikologjikisht ndeshjen kundër Anglisë në “Air Albania”.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me Altin Lalën për të folur rreth ndeshjes me Andorrën dhe sfidës me Anglinë. Legjenda e Kombëtares është shprehur se kuqezinjtë duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre. Për këtë arsye sjellë edhe shembullin për diferencën me Kosovën.

Altin, një mendim për ndeshjen me Andorrën. Shumë kritika për lojën e Rejës, a duhet të kënaqemi vetëm me tre pikët?

Atëherë unë do të jap këndvështrimin tim personal. Si ndeshje e parë që ishte, duhet të jemi të kënaqur. Më e rëndësishmja ishte që të fitonim ndeshjen, kjo ishte primare. Sa i përket mënyrës së lojës, sigurisht që nuk ishte spektakolare. Por duhet të kemi parasysh fushën që është disi ndryshe dhe shumë lojtarët tanë nuk janë mësuar në një terren të tillë. Andorra është kundërshtar që të krijon vështirësi me mënyrën sesi rreshtohet. Nuk do të thotë gjë se luan kundër Andorrës dhe duhet me patjetër që të fitosh tre gola para. Me rëndësi ishte që ne fituam. Në fund të ditës merr tre pikët dhe nuk pyet më njëri për lojën, ajo harrohet. Detyra u mbyll!

Ku ishin ato probleme që ne hasëm në këtë ndeshje sipas teje?

Patëm probleme në fazën sulmuese dhe në kontrollin e topit. Në këtë ndeshje duhet të bësh kombinime të shpejta, është shumë e rëndësishme. Andorra është e vendosur e tëra mbrapa dhe është e vështirë për Kombëtaren tonë. Topi duhej qarkulluar shpejt, mundësisht me një ose dy kontakte. Nuk duhet që të ecësh me topin. Kjo nuk u bë gjithmonë dhe prandaj loja nuk duk aq e bukur dhe efektive. Por e përsëris, kemi mbyllur detyrën e shtëpisë. Është e vështirë në këto ndeshje se unë kam qenë vetë në fushë. Por e rëndësishme është se nuk kishte neglizhim nga ana e lojtarëve për kundërshtarin. Për këtë jemi të sigurtë dhe e pamë në fushë.

Tani vjen ndeshja me Anglinë. Nëse dikush do të shprehej se fiton Shqipëria. Do ta quaje të çmendur?

(Qesh) Si nata me ditën, kalojmë nga Andorra te Anglia, dy kahe komplet të kundërta. Të çmendur nuk do ta quaja se në futboll ka ndodhur gjithçka. Është ndeshje e vështirë për të gjithë djemtë e Kombëtares, duhet të japin maksimumin. Trajneri nuk ka pasur nevojë fare që të na motivonte dikur për ndeshje të këtij niveli, kështu edhe Reja do ta ketë më të lehtë. Kjo është një ndeshje që ne nuk kemi se çfarë të humbim, duhet të tentojmë që të marrim pikët se presionin e ka kundërshtari. Por kjo nuk do të thotë që të futemi në fushë sikur të jemi super inferior. Këtu është edhe një lloj ndryshimi mes Kosovës dhe Shqipërisë. E shoh opinionin sportiv dhe mediat në Kosovë. Kanë besim të madh në vete dhe shpesh të tepruar se do të dalin me rezultat pozitiv në çdo rast. Ndërsa te ne gjithmonë pyesim: “Sa gola do hamë këtë herë?”. Prandaj them se duhet të kemi besim te lojtarët tanë dhe te vetja, vetëm në këtë mënyrë ia dilet.

Nëse ti do të ishte trajneri i Kombëtares, çfarë do të zgjidhje për sulmin?

Trajneri i Kombëtares është profesionist i vërtetë dhe nuk ka njeri dyshime për këtë. Unë po futem me preferencat e mia tani. Broja është i rritur në Angli dhe po bën mirë në Holandë, ka shumë të ardhme përpara. Cikalleshi ka formë të mirë, ndërsa Manaj është i mirë në aspektin fizik. Ajo që ka Broja më shumë është se bëhet fjalë për një golashënues tipik. Pra të tjerët mund të shtyjnë përpara dhe e përdorin forcën fizike në mënyrën e duhur, por Broja ka nuhatje me rrjetën. Mund të jetë ai i pari që do t’ia thyejë rekordin Erjon Bogdanit.

Por për Elseid Hysajn cili është mendimi yt Altin? Nuk bën diferencën edhe pasi po shkëlqente me Napolin…

Shiko, pozicioni i Hysajt ka fazën mbrojtëse dhe në sulm. Por Elseidi nuk ka qenë asnjëherë mirë për të sulmuar. Edhe tani me Andorrën i ka bërë mirë të gjitha detyrat e tij në fazën mbrojtëse, të mbyll krahun dhe pozicionohet saktë. Nuk është ai lojtari që do futet në driblim, të marrë krahun dhe të rrezikojë në sulm. Nga krahu tjetër vihet re diferenca pasi Lenjani ka shpejtësi dhe disa elemente shtesë që i përkasin një lojtar me tiparë më sulmuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat